Në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik kosovar dhe jo vetëm, ka folur edhe shoqja e dhomës së të ndjerës Hamide Magashi.
Dëshmitarja ka rrëfyer për mediat kosovare bisedën që ka konsumuar një natë më parë 35-vjeçarja me ish-bashkëshortin e saj, Sokol Halili. Ajo ka treguar se një natë më parë autori sërish ka kërkuar që e ndjera të dilte ta takonte po në të njëjtin vend ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë, por nuk ka pranuar.
“Më ka treguar që ka qenë e ndarë me burrin dhe ka patur probleme të vazhdueshme edhe gjatë shtatzënisë, ngaqë ai e ka kontaktuar vazhdimisht. Një natë para vrasjes e ka thirrur tërë kohën që të dilte jashtë në oborr, por që nuk pranoi të dilte. Më tregoi shkurt edhe se çfarë i tha ish-burrit. Më tha se i kishte thënë se i shkroi që nuk ka çfarë kërkon nga ajo dhe se fëmija është i saj”, tha dëshmitarja.
Tashmë 31-vjeçari Sokol Halili ndodhet në kërkim policor dhe rrezikon burgimin e përjetshëm.