Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 25.11.2022, 20:46
Pak ditë më parë deklarata e një prifti të krishterë nga Elbasani bëri xhiron e rrjetit.
Prifti vlerësoi besimin e muslimanëve duke thënë publikisht se të krishterët duhet të marrin shembull nga besimtarët e fesë Islame.
Ai deklaroi në media se të krishterët duhet të mësojnë nga muslimanët dhe të falen edhe ata 5 herë në ditë.
At Nikolla tha se të gjithë duhet të jenë shqiptarë fillimisht dhe më pas besimtarë dhe ai do që të jetë pasardhës i Fan Nolit.
Ndërkohë lidhur me deklaratat e Nikolla Xhufkës ka reaguar edhe Kisha Ortodokse e Shqipërisë.
Në një reagim në Facebook, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë shkruan se Nikolla Xhufka nuk është prift, por është i vetëshpallur si i atillë.
Reagimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
KUSH ËSHTË NIKOLLA (BLLAZHDE) XHUFKA?
Një sqarim i nevojshëm për opinionin publik.
«Ruhuni nga profetët e rremë, që vijnë të veshur si dele, por që përbrenda janë ujq grabitqarë.»
Mateu 7:15
1. Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk është klerik orthodhoks dhe nuk njihet si i tillë nga asnjë Kishë e krishterë në asnjë vend. Pretendon se është dorëzuar nga një person serbo-rumun, i cili nuk ka asnjë lidhje me Kishën Orthodhokse dhe nuk është klerik i saj. Kemi të bëjmë thjesht me një mashtrim të opinionit publik.
2. Nikolla përfaqëson vetëm veten e tij, nuk ka as kishë as komunitet besimtarësh, pavarësisht deklaratave pompoze që bën herë pas here në media.
3. Ka improvizuar në bodrumin e shtëpisë së tij, atë që e quan “kishë”, duke mashtruar haptazi edhe në media se bëhet fjalë për një “kishë paleokristiane – katakomb”.
4. Mashtron dhe gënjen haptazi dhe në media se ka kryer studime fetare ndërkohë që ska bërë anjë të tillë. Sa për saktësi, ka mbaruar shkollën e mesme profesionale për teknologji – ushqimore në Elbasan, madje përsëritës i vitit të fundit.
5. Bën deklarata “patriotike”, ndërkohë përbuz dhe tallet me klerikët orthodhoksë shqiptarë, gjithashtu vë në lojë dhe ironizon seriozitetin e liderëve fetarë dhe të klerikëve të besimeve të tjera.
6. Mungesa e formimit fetar bën që deklaratat e tij mediatike në lidhje me besimin orthodhoks të jenë të gabuara dhe dezinformuese. Ky person nuk varet nga asnjë autoritet kishtar dhe nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij.
7. I vetmi interes i tij është shfaqja mediatike dhe tërheqja e opinionit publik, pavarësisht dëmit që i shkakton figurës së klerikut dhe besimit orthodhoks.
8. Deklaratat e tij të papërgjegjëshme në media, nën maskën e petkut fetar, shkaktojnë pakënaqësi, duke nxitur rivalitet mes besimeve fetare, mungesë respekti reciprok dhe për pasojë urrejtje ndërfetare.
9. E shohim me shqetësim mediatizimin e tij. Marrja e informacionit paraprak nga mediat për personin në fjalë, i cili nuk i përket asnjë komuniteti fetar, nuk ka asnjë autorizim, nuk ka formim përkatës dhe nuk përfaqëson askënd përveç vetes së tij, do e bënte të qartë përse nuk meriton të merret seriozisht.
10. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është i vetmi autoritet shpirtëror dhe zyrtar që garanton ruajtjen dhe promovimin e parimeve dogmatike dhe kishtare, e cila udhëhiqet nga organet e saj legjizime në përputhje me statutin dhe kanonet kishtare. Çdo përpjekje, si në të shkuaren ashtu edhe tani, për të nënvlerësuar rolin dhe kontributin e Kishës Orthodhokse në Shqipëri do të dështojë me hirin dhe ndihmën e Zotit.
Mitropolia e Shenjtë e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit.
Elbasan, më 16 nëntor 2022
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR