Po mbijnë si kërpudhat pas shiut kullat e pallatet në kryeqytet. Leje ndërtimi në cdo cep për oligarkë e biznesmenë përfitues të tenderave të bashkisë Tiranë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Një ndër biznesmenët e preferuar të Veliajt në fushën e ndërtimit, i cili ka marrë më së shumti leje e ka pallate në arteriet kryesore të Tiranës është padyshim Ilir Shtufi i “Nova Construction”. Ky i fundit po zhvillon 5 godina të reja në Kashar me sipërfaqe totale ndërtimi 50000 m2. Godinat do të funksionojnë si hotele dhe rezidenca.
Ndërtues i subjektit është kompania “Luli shpk” e kunatit të tij Mark Lulit, oligarkut që do ndërtojë kullën Mountain of Tirana në qendër të kryeqytetit e cila do të jetë më e larta në Shqipëri.
Në përshkrimin e objektit që do ndërtohet shkruhet:
Objektet e propozuara ndodhen përgjatë aksit të rrugës “29 Nentori” pranë mbikalimit tek qendra tregtare Casa Italia, Tiranë.
Synimi i kësaj iniciative është realizimi i projektit të një kompleksi me godina banimi dhe shërbime duke përfshirë dhe hoteleri dhe institucione bankare e shëndetësore, me standarde të larta dhe bashkëkohore.
Sheshi i ndërtimit kufizohet në jug nga rruga 29 Nëntori e cila është aksi kryesor Tiranë-Durrës. Gjithashtu ndodhet në një nyje të rëndësishme kominikimi midis Durrësit, Tiranës dhe pjesës veriore, Kamëz, etj. Rruga kryesore e lidh sheshin me qendrën e Tiranës, në vijë të drejtë, nëpërmjet rrugës së Durrësit.
Projekti zhvillohet në 5 godina.
Në Godinën 1 të gjithë ambientet do të përdoren për banim. Në Godinën 2 kati perdhe është pjesërisht banim pjesërisht sherbime ndërsa katet e tjera janë banim. Godina 3 në katin përdhe do të ketë disa institucione bankare ndërsa në katet e tjerë do të jetë banim. Godinat 4 dhe 5 që gjenden përkatesisht në brendësi të sheshit njëra në formë L dhe tjetra përballë saj, do të kenë funksion hotel dhe do të jenë dy hotele të pavarur nga njëri-tjetri të cilët lidhen vetëm në katin e parkimit i cili do të jetë një dhe i përbashkët. 4 nga godinat përshkohen nga pasazhe këmbësorësh me gjerësi të konsiderueshme rreth 6 metra, për ta bërë më të aksesueshme hapësirën rekreative dhe për të mos krijuar ndarje të ngurta përgjatë saj.
Në lidhje me ndërtimin e kompleksit me hotele e godina banimi, qytetarët e zonës shprehen se punimet e betoniereve të oligarkëve nuk kanë të ndalur dhe prej disa ditësh janë pa gjumë. Ata shprehen se kanë telefonuar çdo institucion por nuk kanë marrë përgjigje.
Qytetari shkruan:
“Pershendetje! Doja t'ju kerkoja te nxirrnit kete video ku tregon se si betonieret e lali plehut punojne pa ndalim, edhe naten! Kemi 3 dite qe nuk fleme!
Ke nuk kemi lajmeruar, policine, u ankuam ne ministri, por prape askush nuk na degjoi. Ne bashki as qe na e hapen deren. Ju lutem nxirreni qe ta shohin te gjithe.
Ky ndertim eshte duke u bere ne krah te mbikalimit te terminali i autobusave te jugut. Kompleksi qe po ndertojne quhet Tirana entry 2“