Vitet e fundit, Shqipëria është bërë edhe një pikë e njohur për nomadët dixhitalë, sipas një liste të një website botëror për këtë kategori, në mes të vendeve të tjera ballkanike, si Mali i Zi dhe Kroacia.
A është Shqipëria tërheqëse për nomadët dixhitalë? Momentalisht, një i huaj që do të punojë “on remote” në vend ka mundësi ta bëjë, gjithashtu është miratuar edhe një ligj për të huajt që punojnë, por ka specifika të tjera, ndër të cilat leja e punës.
Në një vështrim të përgjithshëm, marrë nga website që Shqipëria citohet jo pak herë, ai “NomadDigital List”, ka disa elemente që duhen marrë në konsideratë:
Internet 4/5 — Shpejtësi me çmime të ulëta, Wi-Fi i mirë në kafene, si dhe mundësi për WiFi publike falas.
Kafenetë dhe hapësirat e bashkëpunimit (zyra të përbashkëta) 3/5 — Qytetet e mëdha kanë shumë kafene të përshtatshme për punë dhe ka disa zinxhirë lokalë (Mon Cheri dhe Mulliri Vjetër). Megjithatë, shumë nuk pranojnë karta krediti. Në Shqipëri ka rreth një duzinë hapësira zyre të përbashkëta, ku merr me qira tavolinën.
Çmimet 4/5 — Një nga destinacionet më buxhetore ku nomadët dixhitalë, kryesisht amerikanë, kanë vlerësuar.
Gjuha 4.5/5 – Pothuajse të gjithë flasin anglisht (dhe madje edhe një gjuhë të tretë, si greqishtja, italishtja ose gjermanishtja)
Komoditeti 1.5/5 – Jo shumë i përshtatshëm për nomadët dixhitalë, për fat të keq. Kartat e kreditit nuk pranohen në shumicën e vendeve dhe transporti ndërqytetës nuk është në nivelet e duhura.
Atmosfera 3/5 — Vendasit miqësorë dhe mikpritës dhe disa atraksione turistike (duke përfshirë 4 vende të UNESCO-s). Tirana dhe qytetet e tjera të mëdha kanë disa probleme urbanizimi (ndotja e ajrit, pluhuri, trotuaret e pabarabarta).
Siguria 4/5 — Pavarësisht disa stereotipeve negative, nuk ka rreziqe në Shqipëri.
Grant Van Cleve, investitori amerikan, i cili jeton prej thuajse dy dekadash në vendin tonë, thotë se vitet e fundit është rritur numrit i të huajve që erdhën si “nomadë dixhitalë”, të cilët kërkonin të largoheshin nga situatat më të rrepta të Covid në vendin e tyre.
“Ata erdhën për lirinë shëndetësore, por donin të ktheheshin për stilin e jetesës (ushqim, diell, argëtim, mikpritje) me një kosto relativisht të ulët. Unë dhe gruaja ime u emocionuam që u kthyem dhe u kënaqëm duke parë kaq shumë të tjerë që zbulonin vendin që donim”, – thotë ai për “Monitor”.