KE-ja i kërkon Kosovës konstruktivitet në dialog me Serbinë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 12.10.2022, 10:17

Komisioni Evropian përpiloi tekstin e paketës së zgjerimit dhe atë të raporteve të progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohen sot.

Sa i takon Kosovës, raporti shprehet se duhen përpjekje thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë.

Komisioni Evropian u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve duke e vlerësuar atë si thelbësore për integrimet evropiane.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë vazhduan me takime të rregullta mujore në nivel të kryenegociatorëve dhe një takim të nivelit të lartë më 18 gusht 2022. Palët miratuan një Udhërrëfyes për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në qershor të vitit 2022 dhe ranë dakord për lëvizjen vetëm me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajin gusht.

“Kosova duhet të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme dhe të ndihmojë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare për t’u mundësuar Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, thuhet në raport, raporton Zëri i Amerikës.

Situata në veriun e Kosovës, një zonë e banuar me shumicë serbe mbetet sfiduese, veçanërisht në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar dhe lirisë së shprehjes, thuhet mes tjerash në raport.

Komisioni Evropian thekson se sa u përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Aji ka mbajtur në përgjithësi marrëdhënie të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Por, nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.

Raporti thekson se Kosova gëzoi një qëndrueshmëri politike me një qeveri më shumicë solide në Parlament, puna e të cilit u ndikua negativisht nga atmosfera e polarizuar politike dhe vështirësitë për të siguruar kuorum vendimmarrës.

Sikurse edhe në raportet e mëhershme, Komisioni thekson se Kosova është ende në një fazë të hershme në zhvillimin e një sistemi gjyqësor që funksionon mire: “Ndërkohë që është bërë njëfarë përparimi, administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme”.

Kosova është në një fazë të hershme dhe ka një shkallë të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, thuhet në raport në të cilin theksohet se “është bërë njëfarë përparimi me miratimin e legjislacionit të rëndësishëm kundër korrupsionit, por ekziston nevoja për të përmirësuar zbatimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të arritur hetime më proaktive, vendime gjyqësore përfundimtare dhe konfiskim përfundimtar të pasurive. Pavarësisht përpjekjeve të bëra tashmë, ekziston nevoja për vullnet të fortë politik për të vazhduar trajtimin efektiv të rreziqeve të korrupsionit sistemik dhe një përgjigje të fortë të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë”.

Ngjashëm është vlerësimi për luftën kundër krimit të organizuar ku vërehet një “përparim i kufizuar” dhe nënvizohet se janë zhvilluar “një sërë operacionesh të suksesshme që synonin krimin e organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndërkufitar. Lufta kundër krimit të organizuar në veri të Kosovës vazhdon të jetë sfiduese”.

Raporti vë re se është arritur njëfarë përparimi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por “autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji në fuqi duhet të jetë në përputhje me kërkesat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare”.

Komisioni thekson se kuadri ligjor garanton gjerësisht mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përputhje me standardet evropiane dhe Kosova tregoi përkushtim për trajtimin e pabarazisë gjinore. Por, theksohet në raport, “duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, duke përfshirë romët dhe ashkalitë dhe personat e zhvendosur, për të siguruar barazi gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një shkallë të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik, theksohet në raport. “Megjithatë, mbeten shqetësimet në lidhje me fushatat e shpifjeve publike, kërcënimeve dhe sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e qëndrueshmërisë financiare i bën mediat, përfshirë transmetuesin publik, të cenueshme ndaj interesave politike dhe të biznesit”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Qytetari nga Tirana
    Qytetari nga Tirana, i cili çdo ditë, shkonte në fshatrat e Tiranës dhe ushqente qentë e rrugës. Ai merrte bukë nga shtëpia dhe shkonte ua hidhte qenve, të cilët gëzonin duke tundur bishtin sapo e shihnin.
    Vajza nga Shkodra
    Vajza nga Shkodra, shitëse në një market, e cila u përball me dhunën e të moshuarit, i cili godiste pa pushim një qen, me një copë dru në dorë. Sapo pa që qeni po dhunohej, vajza ndërhyri dhe tërhoqi nga bluzja të moshuarin, që dukej që nuk do ndalej nga goditjet ndaj qenit.
    I moshuari invalid
    I moshuari invalid, i cili, rregullon rrugën e lagjes, pasi Bashkia e Tiranës i ka harruar qytetarët. Qytetari është 'hero' në komunitetin e tij. Kur askush nuk ndjen përgjegjësi, ai bën aq sa mundet vetë.
    I riu guximtar
    I riu, që pa u menduar dy herë, ndaloi makinën dhe i erdhi në ndihmë qytetarit që u aksidentua në mbikalimin e Selitës, në Tiranë, pak ditë më parë. Makina ishte pothuajse e përmbysur, kur i riu shqeu xhamin e përparmë dhe nxorri nga makina të aksidentuarin. Ai gjithashtu, qëndroi me të duke e mbështetur pas atij aksidenti të rëndë.
    Djali i pastrehë
    Djali i pastrehë në Lushnje, i cili duke mbledhur kanoçe dhe bidona në një nga koshat e plehrave, gjeti një këlysh dhe po e ushqente me atë pak bukë që kishte për vete. Pavarësisht varfërisë që ai përballej vetë, i riu lushnjar nuk e mendoi dy herë që t'i vinte në ndihmë qenushit. Madje ai e mori atë në shtëpi.
    Dy vajza zemërgjera
    Dy vajza, të cilat, panë në koshin e plehrave një burrë, që po ushqehej me ç’të gjente aty. Vajzave u erdhi keq për atë që panë dhe blenë ushqim për të.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit