Skandalet nuk kanë fund në vendin tonë. Por nga dita në ditë ato bëhen edhe më intereante. Kështu nëse mendonit se “pisllëqet” më të mëdha me tenderat bëheshin kryesisht në qytetet e mëdha, rasti i Rrogozhinës do t’ju bëjë të mendoheni mirë.
Kjo bashki e drejtuar nga Edison Memolla, rezulton t’i ketë dhënë mbi 3 milion euro tender një firme që është themeluar nga babai i kryetarit aktual të Bashkisë Berat, Ervin Demo. Bëhet fjalë për kompaninë VIOLA GREEN e themeluar në vitin 2015 nga Zehni Demo.
Në kohën e themelimit, babai i kryebashkiakut të Beratit zotëronte kuotat mazhoritare të kompanisë, pra “de facto” ishte pronari. Aktualisht pronarë të kësaj kompanie rezultojnë me letra shtetasit Marsel Shega, Fatos Jaupi dhe Sherif Kapllani.
Le të ndalemi te tenderi. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-39353-08-19-2022 dhe ka si objekt “Sherbimin e Pastrimit, Gjelbërimit, Dekorit, Mirëmbajtje Varreza, në territorin e Bashkisë Rrogozhinë”.
Fondi limit i tenderit është 305,040,650 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3.7 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Sipas dokumentacionit mësohet se kemi të bëjmë me një cungim të konkurrencës pasi në garë kanë marrë pjesë vetëm dy garues, ku fitues është shpallur bashkimi i operatorëve VIOLA GREEN dhe BARDHI për ofertën 304,164,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 3.65 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
E konvertuar në euro, kjo vlerë kalon shifrën prej 3 milionë euro. Duke krahasuar shifrat duket qartësisht se fituesit kanë ofruar thuajse të njëjtën vlerë sa fondi limit, përkatësisht sa 99.7% e tij. Përtej kësaj firma VIOLA GREEN rezulton të jetë gjobitur në vitin 2020 nga Inspektorati Kombëtar i Mjedisit dhe Territorit në vlerën prej 20 milionë lekë të vjetra si dhe është dërguar për ndjekje penale.
Shkaku ishte skandaloz: firma që paguhej nga taksat e banorëve, u kap duke hedhur mbeturinat në lumin Shkumbin ku gjithçka përfundonte më pas në det duke krijuar një ndotje skandaloze. Por për çudi vetëm 2 vjet më pas, po e njëjta kompani fiton tenderin prej 3 milionë eurosh për pastrimin e qytetit. Për sa më sipër SPAK duhet të hetojë menjëherë.