7 deputetë të VV-së i dolën kundër Qeverisë për pagat e grevistëve

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 05.10.2022, 09:35

Pas pesë javësh grevë në arsim, nxënësit të hënën iu kthyen bankave shkollore. Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë mori vendim që të ndërpritet greva, ndërsa ky vendim u mirëprit nga prindërit, nxënësit, shoqëria civile por edhe nga opozita.

Por kjo çështje nuk përfundoi me kaq. Qeveria e Kosovës pavarësisht gjithë zhvillimeve, mori vendim që mësimdhënësve të cilët morën pjesë në grevë të mos ua ekzekutojë pagat për muajin shtator.

Kësisoj, mësimdhënësit mbetën pa paga për muajin shtator.

E kundër këtij vendimi nuk dolën vetëm opozita dhe vetë mësimdhënësit.

Kundër këtij vendimi së fundi dolën edhe deputetë nga pozita, saktësisht nga partia drejtuese në vend, ajo e Vetëvendosjes.

Në mënyrë publike, deputeti i VV-së, Eman Rrahmani, deklaroi se pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, duke mos ndarë këtu ata që ishin pjesë e grevës.

“Pagat duhet të procedohen për të gjithë mësimdhënësit, orët e humbura duhet të kompensohen deri në përfundim të vitit shkollor”, shkroi ai.

Pas Rrahmanit, kundër këtij vendimi të Qeverisë së Kosovës doli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Alban Bajrami.

Bajrami kërkoi nga Qeveria Kurti që të bëjë ekzekutimin e pagave dhe të gjejë alternativë për kompensimin e orëve të humbura gjatë mbajtjes së grevës.

Sipas Bajramit, Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të koordinohen me SBASHK-un që të gjejnë konsensus të përbashkët në mënyrë që të bëhet zgjidhja më e mirë për nxënësit.

“Qeveria të merret vesh me SBASHK-un edhe me bashkëpunu me ministrinë e Arsimit për zëvendësimin e orëve, duhet të ketë koordinim për orët e humbura sepse janë orë të quara dëmë, duhet të kompensohen përmes ditëve të festave ose të gjendet ndonjë mundësi tjetër. Duhet të gjejnë një konsensus Qeveria me SBASHK-un dhe me Ministrinë e Arsimit. Pagat duhet të ekzekutohen”, tha deputeti Bajrami.

Ngjashëm me dy deputetët e lartcekur është deklaruar edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli.

Në një deklarim për lajmi.net, Humolli tha se ky vendim është jo korrekt dhe se i njëjti, sipas deputetit është sikur Qeveria po dëshiron që punëtorët e arsimit të vazhdojnë grevën.

“Po tash kena kohë boll se masi s’po punon qeveria, na s’po punojmë, punëtorët s’po punojnë, kena vakt boll. Po më duket ndoshta mirë është që po bëhet presioni. Kanë fillu edhe deputetë të tjerë me reagu. Mendimin tim përafërsisht po e dinë gati krejt qytetarët, për këtë po më duket se është jo korrekte mos me ua dhanë pagat edhe është sjellje sikur me dashtë qeveria me vazhdu grevën punëtorët e arsimit. Nuk është e gatshme me u marrë më punët”, ka thënë ai.

Po ashtu ai tha se këtë vendim Qeveria e ka marrë në kundërshtim me dëshirën e deputetëve dhe shumica e këtyre të fundit janë që mësimdhënësit të paguhen.

“Unë po besoj që këtë vendim qeveria e ka marrë në kundërshtim me krejt dëshirën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Jam shumë i bindur që shumica e deputetëve të Kosovës, janë për me ua dhanë rrogat. Pjesa dërrmuese e deputetëve kanë mendim që punëtorëve të arsimit duhet me ua dhanë”, ka përfunduar Humolli.

E para nga grupi parlamentar i pozitës që reagoi në lidhje me këtë vendim është edhe deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci.

Statovci mbrëmë bëri thirrje që Qeveria e Kosovës të ekzekutojë pagat për mësimdhënësit të cilët ishin pjesë e grevës.

“Si partnerë në qeverisje me VV-në na bashkon vizioni i njëjtë që kemi, që shtetit tonë ti japim të mbarën dhe shpresën për një të ardhme dhe jetë më të mirë. Sigurisht se deri më tani bashkërisht kemi arritur shumë suksese me të cilat pajtohet lehtësisht cilido individ e madje edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, e shumë punë na presin së bashku deri në realizimin e plotë të synimeve tona. Sa i përket grevës së sindikalistëve, më vjen mirë që më në fund nxënësit i janë kthyer bankave shkollore”,tha ajo.

Po ashtu Statovci tha se atyre duhet t’u ekzekutohet paga, përmes formës së përcaktuar.

“Por, nuk mund të pajtohem me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit për muajin shtator.Pavarësisht se a ishin të drejta kërkesat e tyre dhe bllokada që ata krijuan, atyre duhet t’u ekzekutohet paga, përmes formës së përcaktuar, sidomos kur jemi në një situatë ku shumë familje përballen me rritje të çmimeve dhe po i afrohemi dimrit të ashpër”,shtoi Statovci.

Nuk shkoi shumë dhe pro këtij qëndrimi doli edhe bashkëpartiaku i Statovcit, Haxhi Avdyli.

Avdyli po ashtu kërkoi që pagat e deputetëve të ekzekutohen, pavarësisht zhvillimit të grevës.

“Edhe unë si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Partia Guxo , pjesë e grupit parlamentar të VV- së, pajtohem me konstatimin e koleges Jeta Statovci që duhet të kryhen pagesat e pagave të mësimdhënësve grevist.Greva shihet që ka pasur prapavijë politike, ku udhëheqësit të SBASHK-ut devijuan tërësisht nga idetë sindikale. Por përkundër kësaj prapë mendoj që pagat duhet të paguhen.Për hirë të arsimit, nxënëseve arsimtarëve të ndershëm, familjeve të tyre por edhe qytetarëve që duan qetësi në institucione e cilësi në arsim, sot i bashkohem thirrjes për lëshimin e pagave për mësimdhënësit grevistë”,tha ai.

Por Avdyli tha se nuk duhet të lihet anash edhe mundësia e zëvendësimit të orëve të humbura për aq sa ka mundësi.

“Le të mbetet mësim i mirë, për të gjithë ata që deshën të manipulojnë arsimtarët e nxënësit për agjenda politike që ti mbajnë duart larg nga shkollat.Por sot duhet të jemi me mirëqenien e arsimtarëve e ndershëm. E që të tillë janë shumica absolute.E ndërkohë gjatë vitit shkollor duhet të shikohet mundësia e zëvendësimit të orëve të humbura për aq sa ka mundësi”, shtoi ai.

Shkaku i situatës së rënduar ekonomike, ekzekutimin e pagave për mësuesit e kërkoi edhe deputeti tjetër i pushtetit, Gramoz Agusholli.

“Unë mendoj se si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike, por në anën tjetër edhe mësimdhënësit duhet të japin premtimin që orët e humbura duhet të kompensohen”, theksoi ai.

E pro ekzekutimit të pagave doli edhe deputeti i VV-së, Visar Korenica. Ky tha se në kompensim të kësaj, duhet kompensim i orëve mësimore të humbura.

“Duhet me u gjet mirëkuptim në të dy anët që pagat me u pagu sepse shumë mësimdhënës edhe janë pengu për shkak të grevës me i mbajt orët mësimore. Në anën tjetër duhet edhe me u kompensu orët”, ka deklaruar Korenica për lajmi.net.

Ndryshe mësimdhënësit vazhdojnë të jenë në pritje se mos ndoshta Qeveria Kurti ndryshon qëndrim dhe i ekzekuton këto paga.

Nga SBASHK ndërkaq kanë thënë se nëse kjo nuk ndodhë, atëherë ato do të dorëzojnë kallëzim penal ndaj ministrit Murati.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
HEROI I MUAJIT
KLIKO PËR TË VOTUAR
  • Qytetari nga Tirana
    Qytetari nga Tirana, i cili çdo ditë, shkonte në fshatrat e Tiranës dhe ushqente qentë e rrugës. Ai merrte bukë nga shtëpia dhe shkonte ua hidhte qenve, të cilët gëzonin duke tundur bishtin sapo e shihnin.
    Vajza nga Shkodra
    Vajza nga Shkodra, shitëse në një market, e cila u përball me dhunën e të moshuarit, i cili godiste pa pushim një qen, me një copë dru në dorë. Sapo pa që qeni po dhunohej, vajza ndërhyri dhe tërhoqi nga bluzja të moshuarin, që dukej që nuk do ndalej nga goditjet ndaj qenit.
    I moshuari invalid
    I moshuari invalid, i cili, rregullon rrugën e lagjes, pasi Bashkia e Tiranës i ka harruar qytetarët. Qytetari është 'hero' në komunitetin e tij. Kur askush nuk ndjen përgjegjësi, ai bën aq sa mundet vetë.
    I riu guximtar
    I riu, që pa u menduar dy herë, ndaloi makinën dhe i erdhi në ndihmë qytetarit që u aksidentua në mbikalimin e Selitës, në Tiranë, pak ditë më parë. Makina ishte pothuajse e përmbysur, kur i riu shqeu xhamin e përparmë dhe nxorri nga makina të aksidentuarin. Ai gjithashtu, qëndroi me të duke e mbështetur pas atij aksidenti të rëndë.
    Djali i pastrehë
    Djali i pastrehë në Lushnje, i cili duke mbledhur kanoçe dhe bidona në një nga koshat e plehrave, gjeti një këlysh dhe po e ushqente me atë pak bukë që kishte për vete. Pavarësisht varfërisë që ai përballej vetë, i riu lushnjar nuk e mendoi dy herë që t'i vinte në ndihmë qenushit. Madje ai e mori atë në shtëpi.
    Dy vajza zemërgjera
    Dy vajza, të cilat, panë në koshin e plehrave një burrë, që po ushqehej me ç’të gjente aty. Vajzave u erdhi keq për atë që panë dhe blenë ushqim për të.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit