Natyrisht nuk kishte se si të mungonte në garën se kush organizon më shumë tendera të dyshimtë, as ministri i mbrojtjes Niko Peleshi. Së fundmi ministria e drejtuar prej tij ka filluar “rëndshëm” të organizojë tendera të dyshimtë. Madje në rastin konkret, e ka “shkelur fare” pasi është shpallur fituese firma që ka dhënë ofertën më të lartë.
Por për çfarë bëht fjalë? Ministria e Mbrojtjes ka organizuar tenderin e rradhës që mban numrin e referencës REF-35413-07-05-2022. Objekti i tij është “Rikonstruksion objekte ndërtimore në Repartin Ushtarak Nr.1010, Vau i Dejës, Shkodër”, me një fond limit prej 27,769,672 lekë të reja pa TVSH ose rreth 330 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Përtej shifrës së lartë që është kërkuar për rikonstruksion, çuditë fillojnë në momentin që shfletohen dokumentat përkatëse të kësaj procedure. Vihet re se kanë marrë pjesë vetëm 3 kompani. Por për habi, fituese është shpallur firma që ka dhënë ofertën më të lartë nga gjithë pjesëmarrësit e tjerë.
Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “BEQIRI” në pronësi të Neim Beqiraj dhe “METEO” në pronësi të Eral Myftaraj. Këto kanë ofruar vlerën 26,337,607 lekë të reja pa TVSH ose rreth 316 milionë lekë të vjetra me TVSH. Jo vetëm kaq, por kjo vlerë fituese është thuajse e njëjtë me atë të fondit limit, përkatësisht sa 94.84% e tij.