Rastet e dhunimeve e ngacmimeve seksuale në Kosovë, fatkeqësisht janë shpeshtuar shumë. Më i rëndë është fakti se një numër i madh i viktimave janë të mitura.
Mbrëmë është raportuar për një rast të dhunimit që ka ndodhur në qytetin e Prizrenit, e ku viktimë është një vajzë e mitur. Rastin në Polici e ka denoncuar nëna e të miturës, e cila ka deklaruar se nuk e di se kush është personi i moshës madhore me të cilin vajza e saj ka pasur kontakt intim. Pas punës hetimore të Policisë, i dyshuari është identifikuar dhe është arrestuar.
Siç raporton gazeta Sinjali, nga Prokuroria kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Sinan Ferizin, 20-vjeçar.
Ferizi është arrestuar në fshatin Zahaq të Pejës dhe më pas është shoqëruar në stacion të Policisë, ku para hetuesve policorë e ka pranuar se me të miturën ka kryer marrëdhënie seksuale.
Me urdhër të Prokurorit 20-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.