Tre shtetas shqiptarë janë dënuar me burg pasi policia angleze iu zbuloi 300,000 paund drogë dhe para të gatshme pas një sulmi nga njerëz të maskuar e të armatosur.
Glen Xhaferri, 26 vjeç, Redjon Murati, 28 dhe Anis Plauku, 29 vjeç janë shqiptarët e arrestuar pasi policia gjeti makinën e tyre të braktisur me mijëra paund brenda. Një kërkim i mëtejshëm në shtëpinë e tyre në Bradford çoi në zbulimin e drogës me vlerë mbi 150,000 £ dhe pajisje anti-përgjimi.
Xhaferri i diplomuar në inxhinieri dhe ish-ushtari Plauku u dënuan me tre vjet burg, ndërsa Murati u dënua për pak më shumë se dy vjet në Gjykatën e Bradford Crown të enjten.
Më 27 shkurt, tre shqiptarët u sulmuan nga persona të armatosur e të maskuar. Menjëherë pas sulmit ata shkuan për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Bradford. Plauku pësoi një thyerje të kafkës, Xhaferri kishte prerje në kokë dhe hundë dhe Murati mori një plagë të thellë në kyçin e dorës.
Me të dëgjuar se çfarë ndodhi, policia gjeti një Audi A5 të braktisur pranë spitalit që i përkiste shqiptarëve. Policia gjeti 84,000 £ në një çantë të zezë në sediljet e pasme. Tre shqiptarët u arrestuan dhe policia shkoi për një kontroll një shtëpi njëkatëshe me tre dhoma gjumi ku ata jetonin në Highgate Road në Queensbury.
Gjashtëmbëdhjetë thasë me kanabis me vlerë shumice prej 71,250 £ dhe një vlerë në rrugë prej 151,710 £ u gjetën në banesën e shqiptarëve. Në një dhomë gjumi, që thuhet se ishte e Xhaferrit për shkak të kartave bankare në emër të tij, në një gardërobë u gjetën rreth 35,000 £ para në dorë.
Sendet e tjera të gjetura përfshijnë një detektor anti-përgjimi, 1000 euro, telefona celularë dhe 240 £.
Kur u intervistua pas arrestimit, Xhaferri tha se nuk dinte asgjë për paratë në shtëpi dhe nuk dha asnjë koment për kanabisin. Të njëjtën gjë tha Murati, i cili shtoi se flinte në sallon dhe dy të tjerët përdornin dhomat e gjumit.
Në gjykatë u tha se Plauku ishte një ushtar i talentuar shqiptar i cili kishte qenë edhe në Afganistan. Pas shërbimit të tij, ai fitoi një vizë udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar. Ai punoi në një lavazh dhe në ndërtim përpara se t’i futej drogës.