Tenderat vazhdojnë e natyrisht sa më e madhe të jetë shifra e përfshirë, aq më të mëdhaja janë gjasat që edhe abuzimi të jetë i lartë. Njëri ndër institucionet që thuajse gjithmonë organizon tendera me “llokma” të mëdha është padyshim edhe OSHEE e administruar nga Adrian Çela. Ky institucion mësohet se do të harxhojë mbi 10 milion euro për “matje inteligjente”.
Por për çfarë bëhet fjalë? OSHEE ka organizuar një tender me numër reference REF-23133-03-25-2022 dhe me fond limit 1,048,176,705 lekë të reja pa TVSH ose rreth 10 milion e 600 mijë euro nëse përfshijmë edhe TVSH. Objekti i tenderit është “F.V dhe instalim të sistemit të Matjes Inteligjente në Kabinat Elektrike të OSSH sh.a, Software – t dhe integrimet e tyre në platformën MDMS (Mater data mangement system)”.
Por ku qëndron problemi me këtë tender? Përveç vlerës tepër të lartë prej mbi 10 milion eurosh, vihet re se njëra nga kompanitë pjesëmarrëse ka ofruar një ofertë me diferencë shumë të lartë krahasuar me firmën e shpallur fituese. Kjo diferencë është rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH, ose rreth 1.7 milionë euro.
Në garë kanë marrë pjesë 5 kompani në total dhe fituese është shpallur kompania në pronësi të Petraq Shomo e quajtur “Aci Engineering”, për një vlerë prej 992,576,392 lekë të reja pa TVSH ose mbi 10 milion euro nëse përfshijmë edhe TVSH. Ndërkaq kompania që ka ofruar vlerë më të ulët e kishte ofertën e saj 827,529,759 lekë të reja pa TVSH, pra rreth 2 miliardë lekë më pak sesa fituesi nëse përfshijmë edhe TVSH. Të gjitha këto bëjnë që të lindin dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.