Një emigrant shqiptar me banim në Londër është vënë në pranga ditën e sotme në pikën kufitare të Qafë-Prushit.
23-vjeçari me iniciale D.Ll tentoi të kalonte në mënyrë ilegale në kufi të miturën. Ai shoqërohej nga një 17-vjeçar i cili është proceduar në gjendje të lirë.
Mjeti Benz me të cilin udhëtonte shqiptari dhe i mituri i është nënshtruar një kontrolli dytësor të imtësishëm në skaner. Pasi është konstatuar prezenca e të miturës, 23-vjeçari është prangosur.
17-vjeçarja u gjend e futur në bagazhin e makinës duke tentuar të kalonte në mënyrë të paligjshme kufirin nëpërmet pikës kufitare të Qafë-Prushit që lidh Shqipërinë me Kosovën.
NJOFTIMI
“Në PKK Qafë Prush, në hyrje të RSH, shërbimet e Policisë Kufitare, në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje, kanë kaluar në vijë të dytë për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin D. LL. dhe me pasagjer një 17-vjeçar.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet e fshehur një shtetase e mitur 17 vjeçe, e cila tentonte të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme, përmes ndihmës (transportimit) të dhënë nga shtetasi D. LL. dhe 17-vjeçari.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin D. LL., 23 vjeç, rezident në Londër, si dhe proceduan në gjendje të lirë 17-vjeçarin, banues në Kosovë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe shtetasen e mitur për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.