Një marangoz shqiptar i kapur në një “shtëpi bari” në Bradford, Angli është dënuar me tetë muaj burg. Në media thuhet se shqiptari Amarilt Elezi, marangoz me diplomë universiteti la Shqipërinë për të shkuar ilegalisht në Angli pasi besonte se do të bënte më shumë lekë.
25-vjeçari Elezi u kap duke u kujdesur për një plantacion kanabisi në një shtëpi në Broadstone Way, Holme Wood, Bradford më 24 korrik. Në këtë shtëpi u gjetën 81 fidanë në bodrum dhe 59 bimë të pjekura në një dhomë gjumi dhe në papafingo.
Kur policia mbërriti në shtëpinë e shqiptarit, ky i fundit u fsheh pas disa bimëve të kanabisit në një dhomë gjumi në katin e parë. Kur u arrestua dhe u mor në pyetje, shqiptari tha se u kishte borxh 5000 £ trafikantëve dhe kjo ishte arsyeja pse u dërgua në Bradford për t’u kujdesur për bimët e kanabisit dhe për të paguar paratë.