Noizy dhe Stresi përqafohen pas 13 vitesh ‘pështyrje’, Denis Dollapi 12 vite në koma nga sulmi mes fansave OTR dhe TBA

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 16.08.2022, 16:16

Ishte 28 prilli 2010 ku pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë nga rivaliteti mes fansave të OTR dhe TBA mbeti i plagosur me 11 thika në trup Denis Dollapi, i riu që jepte çdo gjë për grupin e Stresit, ndërsa urrente grupin e Noizyt.

Asokohe i riu Denis Dollapi, përkrahës i grupimit muzikor “Butuesi”, i njohur si mbështetës i reperit “Stresi”, ishte rrahur nga disa djem të grupimit kundërshtar “OTR”, mbështetës i reperit “Noizy”. Ditën e 28 prillit të vitit 2010, Denisi ka kontaktuar një prej djemve të “OTR”-së, i njohur si “Infiniti”.

Dollapi i ka thënë Infinitit të thërriste shokët e tij dhe të sqaroheshin. Teksa prisnin në një ngushticë pranë “17 Nëntorit”, një e thirrur me zë të lartë “mos e lëshoni Denis Dollapin” është pasuar me një grup të rinjsh të dhunshëm të armatosur me thika, kaçavida dhe shufra hekuri, që e kanë vendosur Denisin në qendër të sulmit.

Në koncertin e mbajtur nga Noizy, ku një biletë kushtonte 5 mijë € në zonën VIP, u pa përqafimi mes Stresit dhe Noizyt, dy reperëve që dikur ishin armiq dhe ndezën sherre mes shumë të rinjve, teksa sot gëzojnë miqësi që ende nuk dihet si lindi pas thuajse 13 vitesh.

Ndonëse reperët që deri dje merrnin famë përmes diss-eve dhe sherreve sot gëzojnë miqësi për të shtuar pikët e shkëlqimit të tyre në repin e tyre, Denisi që dikur mbante anën e Stresit dergjet në koma prej 12 vitesh.

Denisit i pëlqente muzika dhe ishte fans i Stresit dhe fansat e Noizyt e bënë pre të dorës së tyre të pisët. Babai i tij, Kujtim Dollapi, nuk e mban dot dhimbjen as sot ku për Kryefjala thotë: “Më treguan shokët. Ashtu i plagosur djali ka kërkuar ndihmë ta sjellin në spital. Ka shkuar i gjakosur me lekë në dorë tek dy taksi, më pas tek një makinë dhe askush nuk ka dashur ta marrë. Deri sa është rrëzuar përdhe. Nëse do të shkonte pak më herët në spital nuk do të ishte në këtë gjendje”

Kujtim Dollapi kërkon drejtësi. Bashkë me gruan, Xhevin, dhe vajzën ata i rrinë mbi kokë Denisit, me shpresën se do të rikthehet sërish mes tyre si më parë. Nuk largohen asnjë minutë. Një prej tyre duhet të jetë patjetër aty. Ndryshe Denisi nxjerr atë klithmën që ia shtrëngon zemrën nënës së tij, Xhevit: “Im bir u bë 19 vjeç dhe nuk më ka trokitur askush në derë për ndonjë problem me të. Nuk e kuptoj se pse duhet të ma bënin djalin kështu për një këngë.. pa asnjë arsye”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit