Silvana Fardos, nëna e 24-vjeçarit Hadi Matar që sulmoi me thikë shkrimtarin Salman Rushdie ka reaguar e tronditur për ngjarjen e rëndë. Në një intervistë për Daily Mail, ajo tregon se është lajmëruar nga e bija për ngjarjen e cila i kishte thënë se FBI kishte shkuar në banesë për kontroll. Me mbërritjen në shtëpi, kishte mësuar edhe për sulmin që kishte kryer i biri.
Pas sulmit që u bë ndaj autorit të njohur, Salman Rushdie gjatë një leksioni në Nju-Jork, duket se edhe shkrimtarë të tjerë kanë nisur të kërcënohen.
Autorja e sagës “Harry Potter”, Joanne Rowling, e njohur si J.K.Rowling, ka reaguar nëpërmjet një postimi në Twitter ku shprehte trishtimin për sulmin kundrejt Salman Rushdie, por pikërisht në këtë postim, ajo është kërcënuar.
Një mbështetës i sulmit ndaj autorit i ka shkruar shkrimtares: “Mos u shqetëso, e ke ti radhën”.