Një 17-vjeçare në Kamëz ka përjetuar momente ankthi dhe frike pasi ish-i dashuri i saj 36-vjeçar e përndiqte pasi nuk pranonte ndarjen. Sipas “TCH” e mitura ishte ndarë nga 36-vjeçari Fatmir Tuci një vit më parë por Tuci nuk e pranonte këtë fakt dhe tentonte të komunikonte me çdo kusht me të miturën. E frikësuar, 17-vjeçarja i është drejtuar Komisariatit nr.5 ku ka kryer kallëzim dhe më pas autori është arrestuar.
36-vjeçari Fatmir Tuci rezulton me precedent të mëparshëm penal pasi në 2011 ai ka vrarë me armë zjarri xhaxhain e tij Agustin Tuçi pas një sherri për pronën në fshatin Konaj të Mirditës. Të shkuarën e tij kriminale ai e përmendte edhe me të miturën për ta kërcënuar. Kjo e fundit në denoncimin e saj në polici ka treguar se pas ndarjes e kishte bllokuar Tucin në çdo rrjet social pasi nuk donte të kishte lidhje me të, por 36-vjeçari nuk e linte të qetë edhe në vende publike ku ajo ishte me njerëz të tjerë.
Pas denoncimit 36 vjeçari u vu në pranga dhe do të përballet me drejtësinë për veprën penale të përndjekjes dhe rrezikon deri në 4 vite burg.