Ndërkohë që e-Albania dështoi, Mirlinda e AKSHI-t i jep 4 miliardë Igli Gjelishtit në tenderin për gjobat e policisë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.07.2022, 22:35

Ditët e fundit sipas qeverisë një sulm madhor ka ndodhur ndaj e-Albania. Nuk dihet në fakt nëse ky është një fakt i vërtetë apo është thjesht një teori për të maskuar paaftësinë totale të militantëve që janë punësuar si programues. Gjithsesi duket se kjo ngjarje e cila ka hedhur përtokë të gjithë investimet prej miliarda lekësh në sistemet online të qeverisë, nuk e ka penguar aspak Mirlinda Karçanaj të japë tendera në vlera të frikshme.

Kështu ditën e sotme është publikuar një tender për gjobat e policisë, ku do t’i jepen gati 4 miliardë lekë dy kompanive private. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-30004-05-19-2022 dhe me fond limit në vlerën 357,428,000 lekë të reja pa TVSH. Shikohet se objekti i tij është “Përmirësimi i sistemit egjoba, integrimi me pajisjet mbështetëse radar, dhe plotësimi me tableta për Policinë e Shtetit”.

Pra në vend që të punojë sa më mirë për të lehtësuar shërbimet ndaj qytetarëve dhe të kthejë në gjendje pune e-Albanian, AKSHI harxhon gati 4 miliardë lekë për “t’ua futur” sa më shumë shqiptarëve nëpërmjet përmirësimit të sistemit elektronik të vendosjes së gjobave të policisë.

Në tender kanë marrë pjesë vetëm dy konkurrentë, nga të cilët është shpallur fitues bashkimi i operatorëve “Image & Communications Development” në pronësi të Igli Gjelishtit dhe “S&T ALBANIA” NIPT të administruar nga Kleanthi Prifti për vlerën prej 327,963,170 lekësh të reja pa TVSH ose gati 4 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo vlerë është ndërkohë gati e barabartë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 92% e tij. Kujtojmë se kompania e Igli Gjelishtit ka qënë e përfshirë në rikonceptimin, rindertimin dhe zhvillimin e një pjese të shërbimeve elektronike në portalin e-Albania.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit