Shqiptari Isuf Koka është personi që u arrestua nga policia pasi gjuajti dy-tre plumba në ajër, pasi prona e tij private, hotel De Koka dhe dy dyqanet te shtatorja e Skënderbeut në Shkup u sulmuan nga protestuesit maqedonas.
Ngjarja u regjistrua në protestën që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë së Veriut kundër propozimit francez mbi nisjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Dhjetëra maqedonas filluan të gjuanin gur në drejtim të dyqaneve te sheshi Skënderbeu, teksa erdhi reagimi i Kokës i cili qëlloi me armë. Pas kësaj, shqiptari u arrestua, teksa rrezikon 5 vite burg. Koka do qëndrojë në paraburgim deri në procesin gjyqësor, ndërsa rrezikon deri në 5 vite burg për shkak të akuzës për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka ngritur akuzë kundër 12 protestuesve që kanë lënduar policë dhe kanë shkatërruar institucione publike. Babai i tij disa ditë më parë në një intervistë ekskluzive për Euroneës Albania tha se djali i tij ka mbrojtur biznesin e tij në Çarshinë e vjetër të Shkupit, pasi protestuesit do e dëmtonin atë.