Gjatë ditës së djeshme, një qytetar nga Lezha denoncoi pranë redaksisë së JOQ Albania faktin se si qytetarët e thjeshtë gjobiten për parkim të gabuar, ndërsa personat me pozitë nuk preken nga gjobat edhe pse janë në shkelje me rregullat rrugore.
Duke dërguar foton ku shihej se si një polic kishte parkuar makinën e punës mbi vijat e bardha, qytetari me të drejtë kërkonte arsye se përse ky efektiv nuk po gjobitej për parkim të gabuar. Pas publikimit të rastit në JOQ Albania, ka ardhur reagimi i Policisë Lezhë.
Kjo e fundit përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se shtetasi me iniciale A. D. me detyrë inspektor i cili kishte parkuar në mënyrë të gabuar në qytet, është ndëshkuar me masë administrative (gjobë), me vlerë 2000 lekë, për shkeljen rrugore "Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve".
Reagim i Policisë Lezhë
Në lidhje me një foto të postuar në rrjetet sociale, e cila bën fjalë për një rast denoncimi të një qytetari, për parkimin e automjetit të Policisë, në vijat e bardha, në qytet Lezhë, ju sqarojme se:
Shërbimet e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë kryer menjëherë verifikimet dhe kanë ndëshkuar me masë administrative (gjobë), me vlerë 2000 lekë, për shkeljen rrugore "Ndalimi i qëndrimit dhe pushimit të mjeteve", parashikuar nga neni 156/1/g i Kodit Rrugor, punonjësin e Policisë që ka pushuar mjetin, në vendin që tregohet në foto.
Gjithashtu, ndaj punonjësit të Policisë, inspektor A. D. ka filluar ecuria disiplinore, për shkelje dhe cenim të imazhit të Policisë së Shtetit, bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr.750, datë 16.09.2015.
Policia e Lezhës falënderon mediat, për denoncimin e rasteve të tilla, dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë raste të tjera të paligjshmërisë, duke iu garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të paanshëm.
FACT CHECK:
Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e
raportoni këtu.