Fyerje e tallje..Statuset skandaloze të Hekuran Muratit ndër vite

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.06.2022, 16:31

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është bërë lajm ditëve të fundit për statuset që ka bërë vite më parë në Facebook. Gjatë ditës së djeshme, ai mori kritika për shkrimin që kishte bërë në vitin 2016 për luftën dhe UÇK-në. Por, kjo nuk është e tëra, statuse të tilla më shumë skandale ka bërë plot Hekuran Murati.

Para se t’i hynte politikës, duket se ministri aktual i Financave, Hekuran Murati, kishte kohë të merrej me tema të ndryshme.

Duke nisur fillimisht nga deklaratat skandaloze dhe krahasimet e veteranëve të UÇK-së me mercenarë e deri te zhvillimet globale. Në mesin e tyre edhe puçi që kishte ndodhur në Turqi, me synimin për ta rrëzuar nga pushteti presidentin Rexhep Tajip Erdogan.

Nëse hyni në arkivat e rrjeteve sociale të ministrit Hekuran Murati sigurisht që do të habiteni. Postimi ku veteranët e UÇK-së krahasohen me mercenarë, shkaktuan debat të ashpër mbrëmë. Megjithatë, kjo nuk ishte tema e vetme ku Murati nuk kishte hezituar të japë komente.

Ai kishte shkruar pak edhe për puçin në Turqi që kishte ndodhur në vitin 2016 ndaj presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Në një postim të asaj kohe, Murati shprehej i dëshpëruar që kishte dështuar tentativa për ta rrëzuar nga pushteti Erdoganin. Madje, ai kishte konstatuar se gjithë kjo kishte ndodhur për t’i burgosur kundërshtarët e Erdoganit. “I zhgenjym qe deshtoi puci, por me gjase gjithcka e inskenuar. Taksirati i qatyne 3mije ushtarve te ri qe i kan qu ne goje te ujkut vec pse po i duhet sulltanit me gjete pretekst me burgose kundershtare politik edhe me ndryshu kushtetuten”, shkruhej në postimin e Muratit për puçin në Turqi.

Ky ishte vetëm një postim në mesin e shumë të tjerëve që nxiti shumë kritika ndaj Muratit.

Për më shumë, Murati theksonte se mercenarëve nuk do të duhej t’u falënderoheshin.

“Tre muaj nga dy mijë euro bëjnë gjashtë mijë euro për kokë – 20 mijë mercenarë të përgatitun ushtarakisht kishin me na kushtu veç 120 milionë euro gjithsej. Edhe as faleminderit s’kish pasë nevojë me u thanë”, shkruante atëherë Murati.

Madje, Murati “preokupohej” edhe me pagesat për veteranët.

“Këta tre muaj luftë të një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrenjtë se një ushtri e rregullt”, shkruante Murati në vitin 2016. Një deklaratë e tillë ka ngjallur reagime të shumta të analistëve e qytetarëve.

Në një postim të vitit 2016, ai ka shkruar se NATO i vrau 1200 ushtarë serbë, gjersa UÇK vetëm 300, duke pyetur se për kë luftuan 46 mijë veteranët e tjerë?

Kujtojmë që ditë më parë, një tjetër status i Muratit, kësaj radhe i vitit 2018, i ishte bërë viral. Në të shkruhej për çmimin e lartë të naftës.

Asokohe analisti Murati kishte denoncuar çmimin prej 1 euro 20 centë të naftës për litër që shitej në pompat e Kosovës. E tash kur çmimi i naftës ka shkuar 1 euro e 90 centë, ministri Murati nuk ka kritikuar fare Qeverinë, ku ai shërben si ministër i Financave. Por, me të kanë filluar të tallen kosovarët.

“Veç thashë t’ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshi akcizën dhe tatimet) po hyn në 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bie nën 1,20 euro/litër”, kishte shkruar Murati vite më parë.

Statuse të tilla Murati ka bërë edhe gjatë viteve 2018 e 2019. Gjatë këtyre viteve ai ka folur për çdo temë që i ka dalë përpara.

Në një rast, Murati ka bërë një status edhe për HIV e LGBT, duke thënë se kush hamanin është ai me fol për jetën e tyre.

“Tash, kush hamamin jam unë me i tregu dikujt se si me jetu ose me kanë me kalu jetën…”. Ministri aktual i Financave ka pasur diskutime e postime edhe për çmimet e derivateve dhe si i është renduar jeta qytetarëve të Kosovës. Po ashtu, edhe për vizat dhe lëvizjen e lirë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit