Keqtrajtuan qytetarin në Fushë-Kosovë, aktakuzë për dy policë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 30.06.2022, 11:31

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve V.M. dhe A.A., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, si dhe “Lëndimi i lehtë trupor” .

Sipas aktakuzës, më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin Policor të Fushë-Kosovës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policorë, në bashkëkryerje, e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që, përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë-Kosovës për shkak të një kundërvajtjeje në trafik, të njëjtët ia kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor, të cilin, pasi kishte arritur në stacion, e kishin vendosur në një zyrë dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

“Me këtë, në bashkëkryerje, të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale, të cila u vihen në barrë”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit