Vaksinimi i fëmijëve: Shqetësuese përfshirja e ulët në nivel vendi

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 29.06.2022, 17:44

Gjatë muajit prill autoritetet nacionale publikuan të dhëna mbi normat rutinë të imunizimit në fëmijëri, duke paralajmëruar për mbulimin e ulët në nivel shtetëror, veçanërisht për vaksinën kundër fruthit, rubeolës dhe shytave (MMR).

Edhe pse në vitin 2021 (70,4% për dozën e parë dhe 80,4% për dozën e dytë) janë rritur normat në krahasim me vitin 2020 (63% për dozën e parë dhe 68,5% për dozën e dytë), megjithatë kjo është larg nga 95% që synohet me qëllim të arritjes së imunitetit të tufës dhe mbrojtjes së komunitetit, raporton klanmacedonia.

Është shqetësues fakti se normat e vaksinimit të fëmijëve me MMR për vitin 2021 janë më të ulëta se normat e vitit 2018 (MMR1 – 74,8% dhe MMR2 – 93,8%), kur vendi ishte përballë me një epidemi të fruthit, e cila mori jetën e 4 (katër) fëmijëve nga mosha 5 vjet e gjysmë deri në 13 muaj, të gjithë të pavaksinuar me vaksinën MMR.

Për t’ua përkujtuar prindërve rëndësinë e vaksinimit në fëmijëri dhe për ta fuqizuar marrjen e vaksinave, UNICEF dhe Ministria e Shëndetësisë e zhvilluan një fushatë komunikimi të bazuar në komunitet. Materialet e fushatës u shpërndanë drejtpërdrejt me bashkësitë – në vendet që shpesh vizitohen nga prindërit, si dhe në kopshte, pikat e vaksinimi dhe maternitetet.

Këtë javë është pikturuar një mural në qendër të Shkupit si përkujtues për prindërit dhe kujdestarët se kujdesi që fëmijët të vaksinohen do të thotë vetëdije se ata janë të mbrojtur. Murali e simbolizon përkushtimin e prindërve për të bërë gjithçka që t’i mbrojnë fëmijët e tyre. Në përpjekjet e tyre për t’i mbrojtur fëmijët, prindërit duhet të dinë se vaksinimi rutinë në fëmijëri është mënyra më e sigurt, më e lehtë dhe shumë efektive për ta mbrojtur shëndetin e fëmijëve gjatë gjithë jetës.

“Ne duhet të flasim vazhdimisht për imunizimin rutinë të fëmijërisë, edhe atë jo vetëm gjatë javës së imunizimit. Çdo prind dëshiron t’i mbrojë fëmijët e tij, andaj është normale të kërkohen informacione. Mirëpo ne nuk duhet të lejojmë që dezinformatat ta vënë në pikëpyetje besimin dhe bindjen për vaksinat”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it, e cila vazhdoi me një apel për prindërit:

“Jepuani fëmijëve tuaj mbrojtjen, të cilën ua kanë ofruar prindërit tuaj në të kaluarën. Në shekullin e 21-të nuk duhet t’i vëmë me vetëdije në rrezik jetën e fëmijëve, gjegjësisht t’i vëmë ata në rrezik të sëmundjeve që përndryshe mund të parandalohen me vaksina të provuara si të sigurta dhe shumë efektive. Falë shkallës së lartë të vaksinimit në të kaluarën, prindërit sot kanë pasur fatin të rriten pa parë familjarë ose miq të vdesin ose të kenë paaftësi gjatë gjithë jetës, si rezultat i sëmundjeve si fruthi ose poliomieliti. Për ironi, ky fakt është bërë një nga arsyet pse disa besojnë se sëmundjet e parandalueshme me vaksina nuk paraqesin më tej një kërcënim. Ne u bëjmë thirrje prindërve të ta kontaktojnë mjekun familjar ose pediatrin dhe të shkojnë në qendrën shëndetësore ose qendrën më të afërt të vaksinimit, Sepse shëndeti i fëmijës tuaj është në duart tuaja.”

Sipas OBSH-së së paku nevojitet mbulimi prej 95 për qind me dy doza për ta shmangur përhapjen e fruthit, e cila mund të jetë fatale. Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse të rrugëve të frymëmarrjes. Mund të rezultojë në komplikime të rënda, ndonjëherë të përhershme, duke përfshirë pneumoninë, edemën (ënjtjen) e trurit, shtrimin në spital dhe vdekjen. Fruthi është aq ngjitës sa vlerësohet se 9 nga 10 nga kontaktet e ngushta të një personi të infektuar që nuk janë imun do të infektohen gjithashtu. Ai transmetohen lehtësisht kur një person i infektuar merr frymë ose kollitet, ndërsa virusi mund të jetojë deri në 2 orë në sipërfaqe ose në ajër.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit