Abdixhiku: Kosova peng i popullizmit të Albin Kurtit

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 26.06.2022, 17:09

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar takime me struktura e veprimtarë të LDK-së, si dhe bashkatdhetarë të shumtë në Gjenevë.

Në fjalën e tij hyrëse, Abdixhku tha se nuk është e rastësishme që në kaq kohë të shkurtër takohen bashkë dy herë në Zvicër, ndërkaq shtoi se kjo është shenjë e një lidhje e besëlidhje që i mbijeton kohës.

“LDK dhe mërgata shqiptare janë një familje, janë një shtëpi. Ne as nuk jemi mysafir në shtëpinë tonë gjeografike, e ju as nuk jeni mysafir në shtëpinë tuaj politike. Kurdo që shihemi e takohemi sërish, pavarësisht sfidave nëpër të cilat kemi kaluar të dy, ne mbesim një shtëpi”, nënvizoi kryetari Abdixhiku, thuhet në njoftimin për media.

Ndër të tjera,Abdixhiku, rikthimin e lidhjes me mërgatën e konsideroi si të domosdoshme e të përhershme, ngase, sipas tij, për LDK-në mërgata është pasuri kombëtare, për të cilën tha se e tillë ka qenë dhe do të jetë përherë.

Pasi që e vlerësoi maksimalisht rolin e mërgatës në të gjitha etapat që ka kaluar Kosova, Abdixhiku para të pranishmëve tha se shumë kemi arritur në këto 32 vite, ndërsa shtoi se sërish kemi shumë për të bërë drejt projektit tonë përfundimtar.

“Lirinë, pavarësinë, demokracinë e vendit tonë duhet ta ankorojmë në Evropë. Të rinjve e të rejave tona, familjeve në Kosovë, duhet t’u japim një shtet euro-atlantik. Siç e kemi menduar në ditën e parë 32 vite më parë, siç po e kërkojmë sot, siç do ta bëjmë nesër ne”, theksoi kryetari Abdixhiku, dhe shtoi se ashtu siç LDK dhe mërgata i kanë bërë bashkë lëvizjet e mëdha gjeopolitike në Kosovë, bashkërisht edhe do të ankorojnë Republikën e Kosovës, projektin e Ibrahim Rugovës, në BE e në NATO.

Sa i përket qeverisjes aktuale, kryetari Abdixhiku tha se Kosova sot është peng i popullizmit, përkatësisht peng i politikanëve që për një kohë të gjatë kanë qenë në rol dhe atë në rol të madh mashtrimi, të cilët kanë ndërtuar kauza fiktive dje, ndaj nuk mund të japin zgjidhje historike sot.

“Popullizmi nuk sjellë çmime të përballueshme, nuk sjellë vende të punës, nuk sjell cilësi në shërbime, nuk sjellë as arsim, as shëndetësi e as mirëqenie të qëndrueshme”, tha Abdixhiku.

Ai, më tej tha se e kemi obligim të ri për veten dhe qytetarët tanë në hall që të japim një program të fuqishëm e përparimtar, dhe një ekip që implementon pa frikë, pa paranojë, pa demagogji, projektin e zhvillimit të vendit tonë.

“Sot kam ardhur në mërgatë, jo vetëm për të kërkuar mbështetjen tuaj, por për t’iu thënë që është koha që Kosova t’i japë mërgatës kontribute prapa. Që të zotohem para jush, se mbajtja e mësimit plotësues shqip, hapja e qendrave kulturore në mërgatë e kthimi i remitencave të bollshme në investime të mëdha – është prioritet i imi e bashkëpunëtorëve të mi. Nuk duam të ju shohim si burim i pashtershëm financimi e votimi, por si pasuri e jona kombëtare që meriton vëmendje institucionale”, tha ai.

Abdixhku, nënvizoi se duke qenë bashkë në lidhjen e së ardhmes; patriotë, rugovistë, të djathtit, e secili i ri e i vjetër pa dallim, do t’i japim atdheut tonë shpresën e kërkuar kaherë, duke udhëtuar së bashku drejt stacioneve të së ardhmes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit