Fidel Ylli kërkon hapjen e basteve: Miliona euro i marrin rrugaçët! “Gaz Demi ka lënë leshtë te Partizani”

Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 20.06.2022, 13:45

Fidel Ylli, kreu i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, ka folur sërish për hapjen e basteve sportive. Ai thekson se të gjithë e dinë, madje edhe kryeministri që bastet luhen në të zezë. Sipas tij është më mirë që paratë t’i marri shteti dhe jo disa personat, të cilët Ylli i quan rrugaçë.

“Unë jam i bindur që edhe kryeministri e di që ka baste në të zezë, e dinë deputetët, e dinë edhe shumë mirë kush i ka dhe kush luajnë. Mund të kenë edhe llogari që luajnë vetë. Të gjithë e dimë që ka baste sportive në të zezë. Kur të gjitha paratë e zeza, i marrin njerëz anonimë, pse të mos i marri shteti?! Bënë mirë që u mbyllën, por të rindërtohen.

Njerëzit mund të luajnë me pak lek, por sistemi nuk do e lejojë 10 mijë euro. Është më mirë që të menaxhohet nga shteti. Kaq vend i pasur jemi ne, që lëmë të na ikin miliona euro dhe t’i marrin rrugaçët. Ne duam të jemi partnerë me qeverinë, jo të mos na dëgjojnë. Kemi 3 muaj që kemi bërë takimin, kemi dërguar peticionin dhe ende nuk kemi marrë një përgjigje.

Si shpjegohet kjo?! Sportin nuk ka qeveri që e ndalon. Sporti është industri e madhe. E pamë çfarë bëri futbolli me Conference League në Tiranë. Çfarë ka tjetër ky vend? Në çfarë fushe mund të krenohemi ne në Shqipëri?! Me atë politikë bajate?! Ne krenohemi vetëm me sportin, me këta kampionë që kemi. Sportistët janë ambasadorët më të mirët për Shqipërinë. Më erdhi mirë që futbolli u ul me ministren. Ministrja na ka ftuar edhe ne për këtë çështje”, tha Ylli në një studio televizive.

Fidel Ylli u ndal gjithashtu edhe te pronësia e klubeve, duke cekur se nuk mund të mbahet një skuadër me paratë e një familje, duke marrë shembull Gazment Demin, presidentin e Partizanit. Sipas tij, është e vështirë që një njeri i vetëm të investojë me paratë e familjes te futbolli.

“Unë kam qenë në krahun e futbollit, Ligji i Sponsorizimit është i domosdoshëm. Nuk dua t’ia di as për qeveri as për Edi Ramën, kur bëhet fjalë për sportin. Megjithatë duhet të jemi me këmbë në tokë. Nuk është futboll ky që bëhet këtu. Më vjen keq mua për këta. Nuk shkon dot më lart. Kemi vajtur në Europian, me asnjë lojtar nga Shqipëria, por me ata që luajnë në Europë. Futbolli duhet këtu në bazë. Sporti do mend dhe vizion. Duhet të thithësh sponsorë dhe të rritesh. Më vjen keq për Gaz Demin, se ka lënë leshtë te Partizani, që po bën një gjë të madhe. Është në vështirësi që një njeri i vetëm, të investojë me paratë e familjes te futbolli. Prandaj them që duhen bashkuar fuqitë dhe të bëhen 4 veta për një klub, siç ka qenë Tirana dikur, që mori 4-5 biznesmenë dhe e ngjitën lart.” – shtoi Ylli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit