Disa policë në Berat janë përballur me një kurth të padëgjuar më parë. Mësohet se efektivët kanë qenë duke kryer kontroll në një biznes pasi kishin informacion se aty shiteshin mallra kontrabandë, por hasën me rezistencën e pronarit të biznesit. Mirëpo kontrolli i tyre nuk ka shkuar siç duhet pasi janë penguar nga pronari i cili kishte shpërndarë squfur nëpër ambientet e marketit të tij me qëllim që policët të mos mund të vijonin kontrollin për shkak të aromës së rëndë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. Q., 56 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit në aktivitetin e tij tregtar (market), shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, disa produkte ushqimore të dyshuara të kontrabanduara. Gjithashtu, gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë konstatuan se 56-vjeçari kishte përdorur në këtë ambient, një substancë helmuese (squfur)”, njofton policia.