E arrestuara për evazion “i fut duart” edhe Policisë, “rrëmben” 212 milionë për t’i mbajtur “me bukë”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.06.2022, 22:11

Përsëri Shpresa Joanidhi me kompanitë e saj vazhdon të marrë tendera të fuqishëm në fushën e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit. Pas një incidenti që i ndodhi në shtator të vitit 2019, emri i kompanisë së saj ndryshoi në “DION-AL” SHPK nga “SHPRESA” SHPK që ishte më parë. Por cili ishte incidenti? Shpresa Joanidhi u arrestua bashkë me disa biznesmenë të tjerë për mashtrim ndaj shtetit në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ajo dhe biznesmenët e tjerë u akuzuan në atë kohë nga prokuroria si shkaktarë të një dëmi prej miliona eurosh ndaj shtetit.

Por kjo ngjarje duket se nuk e ndali aspak. Pasi i mori me rradhë një pjesë të mirë të institucioneve të vendit, Shpresa duket se ka filluar të fusë duart edhe tek policia. Kjo pasi rezulton se kompania në emër të saj dhe të familjarëve ka fituar tenderin e rradhës për të “mbajtur më bukë” policët e Tiranës. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-30650-05-24-2022 dhe me objekt “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë”.

Fondi limit i këtij tenderi është 17,808,629 lekë të reja pa TVSH ose mbi 212 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke shfletuar dokumentacionin e procedurës shikohet se ka marrë pjesë vetëm kompania “DION-AL” në pronësi të Shpresa Joanidhit dhe familjarëve. Vlera e ofruar është 17,733,645 lekë të reja pa TVSH ose rreth 212 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Duke qenë se nuk ka patur asnjë konkurrent tjetër fituese është shpallur pikërisht kjo firmë.

Ndërkaq nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit shikohet se është thuajse identike, përkatësisht sa 99.58% e tij. Nga këto të dhëna duket se tenderi është “kopsitur” mirë që fitues të shpallet ai “që duhej”, e në rastin konkret pikërisht Shpresa me kompaninë e saj. Duket se zonja ndonëse ka qenë e arrestuar për evazion, do të mbajë “me bukë” policinë e Tiranës për plot 212 milionë lekë të vjetra. Urojmë që ushqimi të jetë të paktën i ngrënshëm.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit