Nga Marin Mema
Edhe pse reklamimi nuk e ka prekur aq sa fshatra të tjerë, Rehova e Kolonjës mbetet një destinacion i mrekullueshëm për turizmin malor. E vendosur rrëzë malit të Gramozit, vetëm pak minuta nga qyteti i Ersekës, Rehova është një fshat ku historia, ndërtimet karakteristike prej guri dhe traditat ndërthuren mahnitshëm.
Tumat ilire flasin për lashtësinë e vendbanimit, që këtu dukshëm i ka kaluar të gjitha fazat zhvillimore e historike, pa pasur shkëputje… Rrugicat e kalldrëmta, shtëpitë, që nga ana arkitekturore janë një art më vete, objektet e kultit dhe gjithçka tjetër, përbëjnë ansamblin e një fshati, që vlerë të shtuar ka mikpritjen, ashtu si e gjithë krahina e Kolonjës.
Mjaft shtëpi presin turistë, të cilët është e pamundur të largohen e të mos kërkojnë të rikthehen gjatë dimrit dëborëshumë apo verës së freskët e të gjelbëruar. Çdo gur në këtë fshat i gdhendur nga mjeshtrit me nam të tij, ka një histori, fsheh një legjendë apo traditë të mbartur brez pas brezi. Sokakët, oborret e vegjël e të rregullt, shtëpitë me çardakë të japin ndjesinë pozitive të një komuniteti të paqtë e që përpiqet të ruajë trashëgiminë e vyer.
Rehova është e tillë, duhet zbuluar me dëshirë për t’i njohur figurat e shumta që kanë dalë nga ky fshat…
Në Rehovë edhe krejt të panjohurit kanë diçka për të treguar, që nga kurbeti i kohëve të hershme drejt vendeve më të largëta, deri te figurat e patriotëve që nuk i kanë munguar kurrë. Pak kohë më parë ky fshat u shpall nga KKR qendër e mbrojtur për shkak të vlerave të rralla urbanistike, arkitektonike dhe historike.
Ky është vetëm hapi i parë i shndërrimit të tij në një destinacion të vërtetë, edhe pse do të duhet shumë më shumë nëse e krahason me vlerat që mbart ky vend. Sot Rehova më shumë se gjithçka ka nevojë të njihet nga publiku i gjerë, turistët dhe kushdo tjetër që do të donte të provonte një eksperiencë të paharrueshme duke prekur një muze në natyrë, një oaz që të mbush me jetë.