Tomorr Buzi, 44 vjeç, me origjinë shqiptare, jeton prej 17 vitesh në Romano dhe është kthyer në hero pasi ka shpëtuar të hënën në mëngjes një familje turistësh të cilët ranë në ujërat e ngrira të liqenit Braies.
Familja po bënte shëtitje mbi akull teksa u përfshinë në incidentin që mund të rezultonte fatal, por heroizmi i shqiptarit u shpëtoi jetën. I pasionuar pas maleve, shqiptari kishte vendosur të kalonte Pashkët në Jug të Triolit me familjen e tij, duke bërë një ekskursion në liqenin Braies kur papritur një çift 30-vjeçarësh nga Milano, të cilët me djalin e tyre 4 muajsh për pak sa nuk u mbytën në ujërat e ngrira të liqenit.
Shqiptari Buzi u hodh vetë të hënën në ujërat e ftohta për të shpëtuar jetën e një foshnje 4-muajshe. Në ujë ranë edhe prindërit e vogëlushit, por nuk pësuan dëmtime. Pasi u nxorën prindërit dhe fëmija i vogël u dërguan në një klinikë në Innsbruck të Austrisë, pasi liqeni ku ndodhi ngjarja ndodhet shumë pranë kufirit. Familja arriti të shpëtohej nga heroizmi i shqiptarit, ndërsa kryebashkiaku i zonës, Sebastian Nicoli e ka takuar për ta përshëndetur dhe falënderuar për gjestin e bërë që shpëtoi një familje.
“Më thanë që kur Tomorri pa fëmijën dhe prindërit në rrezik, nuk hezitoi që t’i ndihmonte. Një përgjegjës, i pushtuar nga emocionet teksa rikujtonte momentet dramatike, më tregoi se si mori fëmijën në krahë nga Tomorri, një fëmijë, i cili i shpëtoi vdekjes falë ndërhyrjes në kohë dhe heroike të bashkëqytetarit tonë. Kërkova që të takoja personalisht zotin Tomorr Buzi për të pasur mundësinë që t’i shtrëngoja dorën, ta falenderoja dhe t’i shprehja në emër të gjithë komunitetit tonë se ne jemi krenarë për të”, tha kryebashkiaku i Romanos, Sebastian Nicoli.
“Kur pashë që akulli u thye dhe një fëmijë kaq i vogël u rrëzua në ujin e ngrirë, nuk mendova për asnjë moment për rrezikun apo pasojat, thjesht e dija se duhej ta shpëtoja”, tha Tomorr Buzi.