Një ngjarje mjaft e rëndë e cila për habi kaloi në heshtje nga thuajse të gjitha mediat, ndodhi ditën e djeshme në Portin e Durrësit të drejtuar nga drejtori i stër-përfolur për vjedhje me tenderat, Pirro Vengu. Një punëtor 19-vjeçar në lule të rinisë, humbi jetën në mënyrë tragjike për shkak të papërgjegjshmërisë së punëtorëve të portit. Mësohet se ai u tërhoq zvarrë nga vinçi duke gjetur vdekjen.
Kanë qenë komshinjtë dhe miqtë e të riut të cilët kanë denoncuar ngjarjen e cila sipas tyre në mënyrë të habitshme po mbahet e fshehtë, a thua se nuk kemi të bëjmë me një jetë njeriu. Ky rast fatkeq tregon se jeta e një punëtori në Shqipëri nuk vlen asgjë, madje edhe kur humb jetën në punë nuk të përmendin.
Ndërkaq policia arrestoi sot 3 persona për veprën penale "Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë", përkatësisht Rendi Biçaku me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit, Nazmi Varaku me funksion manovrator i makinerisë dhe Bledar Troplini me funksion kryemekanik i ofiçinës.