“Atentati” ndaj drejtorit të shkollës “Wilson”, autori: Kam ngatërruar shënjestër, armën e hodha në liqen

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.04.2022, 12:11

Skerdi Tasi është personi i cili më 18 janar të këtij viti qëlloi tre herë me armë ndaj makinës së shtetasit Lulzim Masha, drejtor i shkollës private "Wilson". Në dëshminë e zbardhur nga "TCH", Tasi ka deklaruar se atë ditë kishte ngatërruar shënjestrën pasi ai ka patur konflikt me një person i cili kishte makinën e njëjtë si Masha, ndaj nxori armën për ta qëlluar. Ai ka treguar se pasi e ka kuptuar se ka sulmuar personin e gabuar, nga frika është larguar me vrap duke hedhur armën në liqen dhe duke u nisur me një furgon drejt Fierit.

Në muajin janar kisha ardhur për disa ditë në qytetin e Tiranës dhe kam qëndruar në banesën e vëllait Nikolin Tasi në lagjen “Ali Demi”, por kam qëndruar edhe në banesën e A. H nga Tepelena, i cili jeton në lagjen “Astir”. Më datë 18 janar, rreth orës 07:30-08:00 kam dalë nga banesa e vëllait në lagjen “Ali Demi” dhe kam udhëtuar në këmbë i vetëm me drejtim parkun e Liqenit Artificial. Më kujtohet që aty ku ndodhet një pallat i lyer si me të kuqe që unë e njoh si pallati me perde kam marrë rrugën e shtruar që vjen rreth liqenit duke ikur me drejtim për nga teatri derisa kam dalë nga pjesa me pemë dhe kam vazhduar po në këmbë derisa kam mbërritur pranë një fushe volejbolli si dhe janë disa bar kafe.
Në atë vend kam qëndruar rreth një orë në këmbë duke pritur. Nuk më kujtohet sa ka qenë ora, kam parë automjet ML me targa Tirane, për të cilin mendova se ishte e një personi që dy javë më parë kisha një debat. Në momentin që pashë automjetin kam nxjerrë një armë zjarri të tipit automatike skorpions dhe kam qëlluar mbi makinën.
Në momentin që e pashë se personi që ishte në makinë nuk ishte ai që prisja, kam ndaluar së shkrepuri armën dhe jam larguar me vrap, por kam vënë re se drejtuesi i automjetit iku disa metra përpara dhe u kthye me makinë prap. Menjëherë pas momentit të qëllimit, kam marrë rrugën dytësore paralel me autostradën duke marrë drejtimin për nga diga e liqenit dhe që ishte shëtitorja e liqenit, armën e kam futur poshtë xhupit për ta fshehur. Pasi kam ecur rreth 300 metra, armën e kam hedhur në ujërat e liqenit rreth 10-15 metra nga bregu, vend të cilin e mbaj mend vetëm po të afrohem atje. Pas hedhjes së armës, kam vazhduar rrugën në këmbë për te kryqëzimi i 21-shit, ku pasi mbërrita kam gjetur një furgon me të cilin kam udhëtuar deri në qytetin e Fierit.

Ai ka deklaruar se nuk e njeh Lulzim Mashën dhe se armën e zjarrit e kishte marrë në banesën e tij në qytetin e Levanit që prej trazirave të vitit 1997.

Në Tiranë e kam sjellë disa ditë para se të ndodhte ngjarja, e kisha fshehur në parkun e Liqenit Artificial.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit