Në Europë ditët e fundit është rritur alarmi pas helmimit të qindra fëmijëve pasi konsumuan çokollatat Kinder Surprise. Pas analizave të kryera në vezët Kinder është konfirmuar prania e bakterit Salmonella Typhimurium. 125 rastet janë përhapur në të gjithë Francën, Gjermaninë, Holandën, Belgjikën, Irlandën dhe Suedinë dhe 63 raste vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, kryesisht në fëmijë të vegjël. Vezët Kinder kanë filluar të hiqen nga dyqanet dhe marketet ku shiten në shumë vende të Evropës dhe kështu ka bërë sot edhe Kosova. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka hequr nga tregu disa produkte Kinder për t'i paraprirë rrezikut që mund t'iu kanoset fëmijëve që i konsumojnë ato.
Ndërkohë në vendin tonë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se cokollatat problematike që janë hequr nga tregu në Europë nga kompania “Ferrero” nuk ka hyrë në Shqipëri. Sipas AKU, në rastet kur një produkt rezulton jashtë norme në BE, atëhere edhe institucionet shqiptare njoftohen për të.