Bordi tjetër i Ramës cakton çmimet: Sa lekë do shiten vaji, mielli, sheqeri dhe orizi në markete?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.04.2022, 11:10

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore ka vendosur ditën e sotme çmimet e disa prej produkteve bazë për familjet shqiptare. Kështu sipas bordit çmimi i orizit nëpër markete do të jetë 104 lekë/kg, mielli do të jetë 90.5 leke/kg, sheqeri do jetë 123 lekë/kg, ndërsa vaji i lulediellit do jetë 321 lekë/litër

Njoftimi i plotë:

Bordi i Transaparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me shumicë/pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i ngritur në zbatim të aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, në mbledhjen e datës 1 Prill, vendosi miratimin e listës së produkteve ushqimore bazë që do të monitorohen, si më poshtë:

Miell

Vaj luledielli

Sheqer

Oriz kokërrgjatë

Ky vendim është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë këto produkte. Gjithashtu Bordi i Transparencës vendosi miratimin e marzheve që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e cmimeve ndërkombëtare.

Për artikullin oriz kokërrgjatë (1 kg i paketuar) miratohen marzhet si më poshtë:

  1. a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të orizit kokërrgjatë, i cili paketohet në vend nga distributori, është 12.4% mbi koston e zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 11 lekë/kg.
  2. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të orizit kokërrgjatë të paketuar në vend nga distributori, është 4% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin sheqer (1 kg) miratohen marzhet si më poshtë:

  1. a) Marzhi i tregtimit të sheqerit nga importuesi (i papaketuar), është 3.7% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.
  2. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të sheqerit, i cili realizon ambalazhimin e produktit të paketuar në vend, është 7.2% mbi çmimin e blerjes së produktit të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 8 lekë/kg.
  3. c) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të sheqerit, është 3.4 % mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “b” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Për artikullin vaj luledielli miratohen marzhet si më poshtë:

  1. a) Marzhi i tregtimit të shitësit me shumicë të vajit të lulediellit të paketuar në vend nga distributori, është 12.5% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 35 lekë/litër.
  2. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të vajit të lulediellit, është 1.9% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 6 lekë/litër.

Për miellin masiv miratohen marzhet si më poshtë:

  1. a) Marzhi i tregtimit për produktin mielli masiv për prodhimin e bukës, i tregtuar nga përpunuesi i grurit, është 33% mbi koston mesatare të ponderuar të zhdoganimit të produktit grurë, përfshirë dhe detyrimet e paguara në doganë, ose shprehur në vlerë 21.5 lekë/kg.
  2. b) Marzhi i tregtimit të shitësit me pakicë të produktit miell masiv i ambalazhuar, është 4.6% mbi çmimin e shitjes me shumicë të përllogaritur sipas shkronjës “a” të kësaj pike, ose shprehur në vlerë 4 lekë/kg.

Pas analizimit të këtyre marzheve Bordi i Transparencës vendosi që këto produkte duhet ti ofrohen konsumatorit familjar në markete me çmime jo më të larta se:

104 lekë/kg për orizin kokërrgjatë (1 kg)

123 lekë/kg për sheqerin (1 kg)

321 lekë/litër për vajin e lulediellit

90.5 leke/kg për miellin masiv

Ky vendim hyn në fuqi në datë 05.04.2022 dhe është i detyrueshëm për të gjitha subjektet që tregtojnë me shumicë/pakicë produktet e përcaktuara në këtë vendim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit