Anadolu Agency (AA) ka publikuar ditën e sotme ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Por duke u ndalur te Shqipëria përmendet nisja zyrtare e vaksinimit, zgjedhjet parlamentare te 25 prillit, shpallja "Non Grata" e Sali Berishës nga Amerika apo ardhja e afganëve për herë të parë më 27 gusht. Ndërkohë çështjet politike kanë zënë një vend të rëndësishëm në ngjarjet e 2021, pasi Lulzim Basha fitoi zgjedhjet si kryetar i PD, Ilir Meta u shkarkua nga posti i presidentit nga Kuvendi, prezantimi i qeverisë së re plot me surpriza në shtator, apo mbledhja e dy qeverive Shqipëri-Kosovë. Ndërsa përmendet edhe vdekja e katër turistëve rusë në Kavajë apo protesta kundër ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç më 20 dhjetor, protestë e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.
– Më 11 janar Shqipëria filloi zyrtarisht fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit të ri (COVID-19), fillimisht me personelin shëndetësor, pastaj mësuesit, efektivët e policisë në terren dhe moshat mbi 75-vjeç, për të vazhduar më pas me vaksinim masiv me kategori të tjera sipas grupmoshave.
– Më 21 prill u inaugurua Spitali Rajonal Memorial në Fier, i ndërtuar me mbështetjen financiare të Turqisë. Pjesë e spitalit është një staf i përbashkët shqiptaro-turk që ofron shërbime për qytetarët shqiptarë në disa fusha. Spitali për 3 vite do të administrohet bashkërisht nga Shqipëria dhe Turqia.
– Më 25 prill u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, ku Partia Socialiste (PS) e drejtuar nga kryeministri Edi Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës. Partia në pushtet fitoi 74 mandate nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë, partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) fitoi 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) fitoi 4 mandate dhe 3 mandate i fitoi Partia Socialdemokrate (PSD).
– Më 26 prill filloi stërvitja ushtarake "Defender Europe 21", që u zhvillua për disa javë në territorin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit me pjesëmarrjen e trupave nga shtete të Ballkanit dhe më gjerë.
– Më 19 maj Ambasada e SHBA-së në Shqipëri njoftoi vendimin e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA për "veprimet korruptive dhe minim të demokracinë në Shqipëri". Pas shpalljes së Berishës "non grata" nga SHBA-ja, kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar i kësaj partie ish-kryeministrin Berisha, vendim që shkaktoi përplasje brenda PD-së.
– Më 9 qershor Kuvendi i Shqipërisë votoi pro shkarkimit të presidentit të vendit, Ilir Meta, pas kërkesës nga Partia Socialiste e Shqipërisë, e cili inicioi në fund të prillit një kërkesë drejtuar Kuvendit për shkarkimin e presidentit Meta me argumentin se përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ai "ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën".
– Më 10 qershor në Tiranë u mbajt samiti i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kishte në fokus ekonominë dhe bashkëpunimin rajonal. Në këtë samit morën pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
– Më 14 qershor Lulzim Basha u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë për një mandat katërvjeçar, gjatë procesit ku votuan anëtarët e partisë më të madhe opozitare në vend. Në garë për këtë post ishin kryetari aktual Basha, deputeti i zgjedhur i kësaj partie Agron Shehaj, ish-zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi dhe ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli.
– Më 27 gusht në Shqipëri mbërriti avioni i parë me shtetas afganë, ku më pas përgjatë disa javëve mbërritën edhe qindra shtetas të tjerë afganë, mes tyre edhe fëmijë. Afganët u pranuan të strehohen përkohësisht nga Shqipëria, sipas autoriteteve shqiptare derisa të përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në SHBA apo vende të tjera.
– Më 10 shtator Lindita Nikolla, deputete e Partisë Socialiste të Shqipërisë, u zgjodh kryetare e re e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, pas votimit të deputetëve në seancën e konstituimit të legjislaturës së re.
– Më 14 shtator kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, realizoi një vizitë në Shqipëri, duke u pritur me ceremoni shtetërore nga kryeministri Edi Rama. Merkel gjatë vizitues në Shqipëri takoi edhe liderë të vendeve të Ballkanit.
– Më 18 shtator betohet qeveria e re e Shqipërisë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duke filluar zyrtarisht detyrën. Partia Socialiste e drejtuar nga Rama fitoi mandatin e tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
– Më 22 shtator ish-kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, u dënua me dy vite burg për kryerjen e veprës penale "Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim". Sipas autoriteteve shqiptare, pas ndalimit të tij në Romë, kanë filluar procedurat për ekstradimin e Llallës nga Italia në Shqipëri, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
– Më 15 tetor në ambientet e një hoteli në një fshat të Kavajës, u gjetën të vdekur katër shtetas rusë, të cilët sipas policisë dyshohet se kanë ndërruar jetë nga asfiksia.
– Më 4 nëntor Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, zgjedhje që u bojkotuan nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike, dhe disa parti të tjera. Shoqata e Bashkive të Shqipërisë kishte kërkuar shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe përsëritjen e tyre, me arsyetimin se janë zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën.
– Më 10 dhjetor një përfaqësi e trupit gjykues nga Gjykata e Qarkut të Stokholmit mbërriti në Shqipëri për të marrë dëshmi të disa anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK) për procesin ndaj ish-zyrtarit iranian Hamid Noury, për ngjarjet e vitit 1988 në Iran. Seancat për marrjen e dëshmive u zhvilluan për disa ditë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, e cila u vendos në dispozicion nga autoritetet shqiptare për të marrë dëshmitë.
– Më 26 nëntor në Elbasan u mbajt mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, e cila ishte mbledhja e shtatë e përbashkët qeveritare mes dy vendeve, ndërkohë u nënshkruan edhe disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
– Më 20 dhjetor në Tiranë u mbajt protestë kundër vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kundër nismës "Ballkani i Hapur", protestë e thirrur nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe mbështetur nga simpatizantë të partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Gjatë protestës u shënuan edhe incidente, pasi u grisën dhe dogjën flamujt e Serbisë.
– Më 21 dhjetor në Tiranë u mbajt takimi i radhës për nismën "Ballkani i Hapur", me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Gjatë takimeve, mes vendeve pjesëmarrëse në këtë nismë u nënshkruan disa marrëveshja për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës, për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja të tjera.
– Më 28 dhjetor në qytetin e Laçit u dorëzuan banesat e ndërtuara me financimin e Turqisë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, në një ceremoni me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit dhe përfaqësuesve të institucioneve turke në Shqipëri. Projekti i financuar nga Turqia i cili përfshin 522 apartamente, por edhe njësi tregtare dhe qindra vende parkimi u zhvillua nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.