Biznes me energjinë në sezon ndërrimi vitesh dhe pak shfaqje me motive nacionaliste nuk mund të mungonte kurrsesi nga qeveria Rama tani që kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbulohet me batanije për t’u ngrohur.
Edhe këtë herë Rama ia ka dalë të fitojë vëmendje me marrëzinë dhe heroizmin e radhës në mënyrë që t’i mbushë mendjen popullit të Kosovës se nuk ka mik vetëm Vuçiç.
Në krizën e energjisë që ka përfshirë vendin, Rama ka bërë “Skënderbeun” dhe është ofruar të ndihmojë shqiptarët e Kosovës ndërkohë që në datë 31 Dhjetor të çdo viti është bërë traditë që familjeve shqiptarë t’u priten dritat për disa orë.
Belinda Balluku në një konferencë duke zhvilluar lajmin e ditës për mediat Rilindase ka deklaruar se qeveria shqiptare ka vendosur të furnizojë Kosovën me energji elektrike gjatë festave të fund vitit, përkatësisht më 31 dhjetor dhe 1 janar, por që do i kthehet Shqipërisë gjatë verës.
“Kryeministri Rama ka lënë porosi të veçantë gjatë ditës së sotme përsa i përket përballimit të krizës energjetike në Kosovë më 31 dhjetor dhe 1 janar. Në total do të japim 7680 Mwh që do të kthehen në formën e depozitimit, pra pa asnjë efekt financiar për Republikën e Kosovës duke kërkuar që t’i rikthehen Shqipërisë gjatë sezonit veror kur kushtet hidrike bëhen të vështira. Pra kjo depozitë që do të dorëzohet brenda këtij muaji do të kërkojmë të na kthehet gjatë stinës së verës, nga muaji qershor deri në shtator. Është detyrë e jona që t’i ofrojmë vëllezërve tanë që të kenë shërbim. Është me porosi të veçantë nga kryeministri. Do të ofrojmë shërbim të pandërprerë në çdo skaj të Shqipërisë”,-deklaroi Balluku ndër të tjera.