Në Dhomat e Specializuara të Hagës, u mbajt të enjten konferenca përgatitore në rastin e Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Në gjykimin e dyshes që udhëhiqnin me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u njoftua se tre dëshmitarë u refuzuan, një pranuan ta dëgjojnë pjesërisht e disa të tjerë i aprovoi trupi gjykues.
Në seancë u theksua se të premten do të hapet çështja për Hysni Gucatin e pas mbarimit të saj me atë të Nasim Haradinaj, pasi ky i fundit po përballet me simptoma të koronavirusit.
Edhe Zyra e Prokurorit të specializuar ka kundërshtuar listën e dëshmitarëve me arsyetimin se disa dëshmitarë nuk lidhen me këtë çështje. Për dëshmitarin 1246 që është zyrtar i lartë në Policinë e Kosovës reagoi mbrojtja e Haradinajt.
Dëshminë e tij e aprovoi edhe kryetari i trupit gjykues Charls Smith, por jo edhe ato të dëshmitarëve 1250 e 1251 pasi mbrojtja nuk ka dëshmuar rëndësinë e dëshmisë së tyre.
Paraqitja e provave dhe dëshmitarëve për dyshen Gucati-Haradinaj do të nis më 6 dhjetor, teksa mbi ta rëndon akuza për vepra penale si pengim i personave zyrtar, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.