Moti i keq me reshje dhe erëra të forta ka goditur vendin tonë orët e fundit. Temperaturat janë ulur, ndërsa të shumta kanë qenë edhe zonat të cilat janë “zbardhur” nga dëbora. Kjo e martë, ka sjellë dëborën në bashkitë e Pukës dhe Fushë Arrëzit ku niveli ka shkuar deri në disa centimetër, por nuk raportohen probleme. Në bashkinë e Shkodrës ka ulje të ndjeshme të temperaturave ku rruga për në Theth, në Qafën e Thorës vazhdon të jetë e bllokuar.
Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës. Bora me intensitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 800 metra trashësia shkon deri në 35-40 cm. Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë. Në Bulqizë, temperaturat kanë shkuar deri në minus pesë gradë, ndërsa disa rrugë kalohen me vështirësi.
Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe në qarkun e Lezhës ku mbrëmjen e djeshme është shoqëruar me stuhi shiu dhe dëbore në zona malore. T
emperaturat janë ulur ndjeshëm edhe në zonat bregdetare, por pavarësisht motit të keq me erë të fortë dhe reshje gjatë natës, shtabi i emergjencave në prefekturë raporton se situata në qarkun e Durrësit aktualisht paraqitet pa probleme.
Trafiku detar vazhdon të jetë i pezulluar vetëm për peshkarexhat dhe anijet turistike e ato të tonazhit të vogël, ndërsa tragetet kanë lëvizur pa probleme mes dy brigjeve të Adriatiku. Në rrethin e Vlorës situata vijon te jetë më problematike vetëm për lundrimin detar.