Red Notice publikuar të premten në Netflix bashkon tre nga yjet më të mëdhenj të Hollivudit: Dwayne Johnson si agjent i FBI-së John Hartley, Ryan Reynolds si hajduti i artit Nolan Booth dhe Gal Gadot si krimineli premtues The Bishop. Ky projekt që besohet se do të shndërrohet në hitin e radhës së platformës së njohur digjitale, sjell historinë e një agjenti të FBI-së me parime të mira, John Hartley, të cilit i caktohet detyra të sjell para drejtësisë disa prej kriminelëve më të mëdhenj në botë.

Por duke lënë pas historinë e filmit dhe rrjedhjen e ngjarjeve, një skenë që ka bërë shqiptarët krenarë është kur The Rock dhe Ryan veshin dy maska me realizim artizanal nga atelieja ‘La Bauta’ në Venecia. Kjo atelie është themeluar nga Armando Bala dhe Arnisa Çulaj, çift shqiptar nga Shkodra. Armando Bala dhe bashkëshortja e tij Arnisa mbërritën në Itali, një çerek shekulli më parë, nga Shkodra.

La Bauta është një nga punishtet e pakta artizanale ende në Venecia ku prodhohen maska papier-mâché çdo ditë, duke ndjekur traditën e lashtë të "mascareri" që daton në fillim të shekullit të dymbëdhjetë. Rrobaqepësit qepin çdo ditë me dorë koleksionin e kostumeve filologjike historike të bëra pas një studimi të thelluar historik. Të gjitha maskat veneciane marrin jetë nga shirita letre të lagur, të përpunuara thjesht me miell dhe ujë, të aplikuara në shtresa të mbivendosura në kallëpe suvaje të punuar me dorë. Pas tharjes, një punëtor punon duke përfunduar me letër gërryese për të marrë sipërfaqe të lëmuara gati për dekorim. Nga këtu nis faza më e bukur që është ajo e dekorimit, ku duke përdorur teknika të lashta tradicionale si “stuko”, fletë ari dhe argjendi, ngjyra akrilike, hije antike me bitum.
