Burgu psikiatrik i Zaharisë në Krujë do të mbyllet dhe të dënuarit do të transferohen në Burgun e Shënkollit. Ky burg është përfolur shpeshherë për kushte shumë të vështira ku mbahen të burgosurit me probleme mendore. Kanë qenë ndërkombëtarët ata që në shumë raste kanë ngritur alarmin për kushtet skandaloze ku personat me probleme të shëndetit mendor vuajnë dënimet e tyre në mungesë të një spitali psikiatrik ligjor.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit pas inspektimeve të shumta ka gjetur probleme pafund me plotësimin e standardeve si mbipopullim i burgut, mungesë e stafit, etj,. Disa nga problemet kryesore janë:
– Burgu psikiatrik i Zaharisë ka 284 të burgosur, kur kapaciteti maksimal i tij është 196 të burgosur.
– Një një dhomë me sipërfaqe 12 metra katrorë strehohen pesë të dënuar, në kundërshtim me standardet minimale të pranuara nga Këshilli i Europës që thotë se çdo i dënuar duhet të ketë 4-6 metra katrorë hapësirë në dhomë.
– Për 284 të burgosur burgu ka vetëm 2 mjekë psikiatër, një farmacist që punon me kohë të pjesshme dhe shumë pak sanitarë, ndaj në shumicën e kohës nevojat e të burgosurve për trajtim nga mjekët nuk mbulohen.
– Burgu nuk ka sistem ngrohjeje dhe të dënuarit me probleme mendore lejohen të mbajnë mjete ngrohëse nëpër dhoma, çka përbën rrezik për jetën e tyre dhe të të tjerëve.
– Ambientet e brendshme të burgut janë të dëmtuara, me myk dhe lagështi.