Vajzat kuqeblu triumfojnë! Vllaznia e futbollit të femrave ka “shkruar” një tjetër faqe të suksesshme të historisë së klubit shkodran, teksa ka arritur të kthehet përsëri mes 32 ekipeve më të mira në Europë.
Vajzat kuqeblu arritën kualifikimin falë një fitoreje me penallti përballë Ferencvaroshit vendas në Hungari. Një sukses emocionues për mënyrën se si erdhi dhe kjo shihej në momentet pas penalltisë së fundit të pritur nga portierja Ana Xhejms-Buhigas. Ajo nisi vrapimin e festës drejt shoqeve të skuadrës të cilat shpërthyen në një përqafim të madh mes emocionesh të shumta.
Me një pjesë të vajzave që vinin duart në kokë sepse nuk u besohej se ia kishin dalë që të ngjitnin kaq lart emrin e Vllaznisë. Një sukses historik i cili gjithashtu edhe do të mbushë xhepat e tyre, pasi presidenti i klubit shkodran, Lazër Matija u kishte premtuar atyre një premio prej 30 mijë eurosh nëse siguronin kalimin e turit.