Pak më parë janë publikuar disa pamje të reja nga mbërritja e grave dhe fëmijëve nga Siria në atdhe. Gazetari Muhamed Veliu ka intervistuar disa prej tyre, por ajo që vihet re është se njëra prej tyre me gjysmë zëri pohon që e ka marrë malli për familjen.
Ndërkohë, fëmijët shfaqen të lodhur nga udhëtimi. I ka “pllakosur” habia. Mosha e tyre e vogël bën që ata mos ta kuptojnë se çfarë është duke ndodhur. Pas 7 vite qëndrimi në Siri në shtetin islamik dhe në kampet Al Hol dhe Roj 5 gra dhe 14 fëmijë janë duke shijuar ditën e parë të lirisë së tyre.
Procesi i rehabilitimit të tyre padyshim nuk do të jetë i lehtë, pasi “ferri” që ato kanë parë me sy do të duhet kohë që të lihet pas krahëve, pa harruar faktin se një pjesë e tyre, të rriturat kanë ikur me dëshirën e tyre në Siri. Kujtojmë se shefi i antiterrorit Gledis Nano ka thënë se burrat e grave që u riatdhesuan sot ose janë vrarë, ose gjenden në burgjet e Sirisë.
Në videon që ilustrohet në vijim, të realizuar nga Top Channel shfaqet momenti ku një prej të riatdhesuarat me gjysmë zëri pranon se e ka marrë malli për familjen.
Shihni minutën 1:56