JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

“Plas” në Patos, 500 milionë lekë tender për sistemim hapësirash
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29/06/2021 22:40

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nami miq! Jo vetëm në Tiranë, Durrës, Elbasan apo Vlorë, por së fundmi edhe në qytetet e vogla lëvron “leku” si kurrë më parë. Jo, nuk bëhet fjalë aspak për ndonjë investim gjigant që do të rrisë vendet e punës apo do të përmirësojë ekonominë e banorëve vendas. Përkundrazi! Bëhet fjalë për një “investim” që do të rrisë xhepat e pushtetarëve.

Si? E thjeshtë, sipas mënyrës më të zakonshme, tenderave. Kështu një tender mjaft i dyshimtë është edhe ky që do t’ju paraqesim në vijim nga Bashkia e Patosit drejtuar nga kryebashkiakja Rajmonda Balilaj. Ky institucion ka organizuar një procedurë prokurimi me numër reference REF-91542-03-29-2021 dhe me fond limit 49,795,880 lekë të reja pa TVSH. Objekti i tij është “Sistemim i hapësirave, lagjja 29 Marsi, Blloku te zjarrëfiksja”.

Pra siç e shikoni do të harxhohen rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH vetëm për të sistemuar disa hapësira. Por ky nuk është problemi i vërtetë i këtij tenderi. Kleçka qëndron në ofertat e ofruara nga pjesëmarrësit. Shikohet se kanë marrë pjesë në garë 8 firma apo bashkime firmash, nga të cilat nuk janë kualifikuar ato që kanë ofruar vlerën më të ulët. Kështu fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “MF INVEST GROUP” dhe “LEON KONSTRUKSION” me ofertë 40,828,749 lekë të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Por në fakt rezulton se një tjetër kompani ka ofruar shumë më pak, përkatësisht 34,870,541 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 418 milionë lekë të vjetra me TVSH). Pra ndonëse janë ofruar thuajse 100 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak, kjo nuk është marrë aspak në konsideratë nga komisioni vlerësues. Jo vetëm kaq, por edhe diferenca mes vlerës fituese dhe fondit limit është tepër qesharake. Si rrjedhojë, të gjitha sa më sipër shpien në dyshime se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar që në fillim.