JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Ogerta Manastirliu i “fal” 250 milionë “BNT ELECTRONICS”, në tenderin pa konkurrencë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 15/06/2021 22:13

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ditët kalojnë njëra pas tjetrës e bashkë me to kalojnë edhe tenderat e dyshimtë njëri pas tjetrit. Janë aq të shumtë këto lloje tenderash sa ndonjëherë është edhe e vështirë t’i publikosh të gjitha. Siç dihet një pjesë e mirë e tortës së parave të shtetit jepen në fushën e shëndetësisë. Milionat që shpërndahen lart e poshtë në fushën e shëndetësisë vështirë të shpërndahen në fushat e tjera. Njëri nga rastet e tenderave të dyshimtë është edhe ky që do t’ju paraqesim në vijim.

Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-91268-03-26-2021 dhe me objekt “Lot 3: Mirëmbajtja e përqendruar “full risk” e disa pajisjeve mjekësore të prodhuesit Toshiba”. Ky tender ka si fond limit shifrën prej 21,315,893 lekë të reja pa TVSH ose rreth 250 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por duke hulumtuar dokumentacionin e këtij tenderi vihet re një fakt që ngjall mjaft dyshime. Shihet se në këtë rast kemi një mungesë totale të konkurrencës, pasi në të ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.

Bëhet fjalë për firmën BNT ELECTRONICS në pronësi të shtetasve Leonard Terpo dhe Jovan Bojdani. Kjo firmë ka ofruar vlerën prej 21,315,700 të reja pa TVSH ose rreth 250 milionë lekë të vjetra nëse përfshijmë edhe vlerën e TVSH-së. Vihet re se vlera fituese është gati 100% identike me vlerën e fondit limit. Pra duket se konkurruesi nuk ka marrë as mundimin që të paktën ofertën ta ulte “sa për të thënë” qoftë edhe pak më pak se vlera e fondit limit. Të dyja faktet e mësipërme, e klasifikojnë këtë tender si “flamur i kuq” për mungesë konkurrence.