Prokuroria është duke hetuar një rast tjetër gjobëvënieje ndaj një biznesmeni i cili është kërcënuar dhe i kërkohen dy automjetet luksoze që i përkisnin djalit të tij Eugert Lazaj. Vlen të thuhet se djali i tij është vetëvrarë në rrethana të mistershme verën e vitit të kaluar, pasi sipas policisë për shkak të gjendjes së tij të rënduar psikologjike nga covidi, i dha fund jetës. Shtetasi i gjobitur quhet Luan Lazaj dhe po verifikohet nëse atij i kërkohet pasuria nga një grup kriminal apo individë të caktuar. Prokuroria i tha Top Channel se në telefonin e babait të biznesmenit të vetëvrarë janë dërguar një seri mesazhesh kërcënuese duke nisur nga data 24 prill deri në fillim të majit.
“Yt bir më kishte borxh dy makina dhe kur të dal nga burgu në Gjermani do të takoj”, e paralajmëroi kërcënuesi i vet-identifikuar si Arben Ismaili. Hetimet tregojnë se kërcënuesi ka shkruar se siç do dilte nga burgu do hynte sërish.
Në vijim të një sërë komunikimesh ku ky person këmbëngulte takim, babai i Lazajt i tregon hetuesve se kjo ngjarje mund të ketë lidhje edhe me një vjedhje të banesës që i kishte ndodhur në fillim të muajit. Ndërkohë, nga kërkimet e deritanishme prokurorët pohojnë se në regjistrin e gjendjes civile rezultojnë 20 shtetas me emrin Arben Ismaili, ndërsa po verifikohet pronësia e numrit prej nga ku u vendos “gjoba”.