Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu është përfolur shpesh në media si organizues tenderash të dyshimtë në institucionin që ai drejton. Nuk bëhët fjalë për vlera të papërfillshme, por për vlera në disa qindra milionë lekë. Me sa duket i tillë është edhe rasti më i fundit të cilin do t’ua paraqesim ditën e sotme. Bëhet fjalë për një tender me mjaft pikëpyetje, që mban numrin e referencës REF-86748-02-11-2021.
Objekti i tij është “Kalimi i ndricimit në LED për eficensën energjitike në terminale dhe në infrastrukturën portale”. Fondi limit i tij është 46,074,000 lekë të reja pa TVSH. Dyshimet lindin në momentin kur fillon hulumtimin e procedurës së zhvilluar. Vihet re se në këtë procedure prokurimi kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë. Nga këta vihet re se 3 prej tyre kanë ofruar vlerë zero. Më një llogaritje të thjeshtë rezulton se 50% e pjesëmarrësve në këtë tender kanë ofruar vlerë zero në mënyrë të pashpjegueshme. Siç mund të merret lehtësisht me mend, nuk ka asnjë logjikë ekonomike apo biznesi që një kompani të humbasë kohë dhe të marrë pjesë nëpër tendera ku nuk ofron asnjë vlerë.
Rrjedhimisht arsyeja e vetme e pjesëmarrjes së tyre është për të shërbyer si numër në një garë ku lindin dyshime se fituesi është i paracaktuar. Përveç sa më sipër, vijhet re se tre firmat e tjera të cilat denjuan të japin ofertë, kanë dhënë një vlerë thuajse të barabartë dhe mjaft të ngjashme me njëra-tjetrën. Mirëpo në praktikat ndërkombëtare të prokurimit një rast i tillë konsiderohet i dyshimtë pasi sinjalizon një paracaktim të mundshëm të fituesit.
Por cili fitoi? Sipas dokumentave të tenderit mësohet se fitues është shpallur bashkimi i operatorëve ‘‘ALBA LIGHT‘‘ në pronësi të Altin Nervaj e Artan Kodragjini dhe ‘‘2T“ në pronësi të Artan Sako dhe Dritan Troksi. Fituesit ofruan 42,744,906 lekë të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nga një hulumtim në media vihet re se emri i Artan Sakos përmendet si ndërtuesi i një pallati ku banonte Linda Rama dhe familjarë të saj.