Mesditën e së hënës në Lipjan janë gjetur dhe sekuestruar 400 kilogramë substanca narkotike, e cila dyshohet të jetë kokainë. Përveç substancave narkotike, janë sekuestruar edhe armë, fishekë, para, veturë e telefona. Kjo u arrit falë një bashkëpunimi të ndërsjelltë, mes DEA-s amerikane, autoriteteve italiane, shqiptare dhe atyre të Kosovës.
Sasia marramendëse e kokainës ishte ngarkuar në Amerikën Latine, ndërsa vinte nga Brazili në një kontejner me mish pule.
Së fundmi gazetarja e ABC ka siguruar reagimin e palës italiane, konkretisht reagimin e Guardia di Finanza Comando Provinciale Reggio Calabria, të cilët kanë shpjeguar edhe se si është kapur droga.
GDF thekson se të paktën 25 persona janë ndalur dhe 7 prej tyre u janë vënë prangat si të dyshuar në përfshirjen e trafikimit të kësaj sasie kokaine.