Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në futbollin shqiptar dhe konkretisht atë të femrave. Mësohet se në ndeshjen mes Partizanit dhe Bilisht Sport, gjashtë lojtare të ekipit juglindor kanë pësuar gjendje të fikëti. Ndërsa dy prej tyre në gjendje më të vështirë, janë transportuar menjëherë në spital. Delegati i ndeshjes, Endi Hyka ka urdhëruar ndërprerjen e lojës dhe ka njoftuar për ardhjen e ambulancave të tjera, për të qenë në gatishmëri në këtë situatë të pazakontë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar dhe FSHF e cila ka njoftuar se vajzat që pësuan gjendje të fikëti kanë kryer analizat dhe tani kanë lënë spitalin.
Njoftimi i FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në spital me ambulancë, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar sëbashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit. I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën e ekslusiveve dhe klikimeve duhet të tregojmë sëpaku humanizëm dhe profesionalizëm.