Kompania FUSHA e Shkëlqim Fushës duket se gjendet kudo. Nëse bëhet fjalë për tendera në shifra stratosferike, kjo kompani është gjithmonë gati, në rresht të parë. Kujtojmë që FUSHA ka marrë një sërë tenderash në vlera të larta nga Bashkia Tiranë dhe nga institucione të tjera shtetërore. Kështu, në vetëm 8 vitet e fundit kjo kompani rezulton të ketë përfituar nga institucionet shtetërore shifrën e pabesueshme prej rreth 114 milionë euro.
Natyrisht sikur të mos mjaftonin këto shifra, kompania FUSHA vazhdon përsëri të jetë një ndër përfitueset kryesore, jo vetëm në Tiranë por edhe në bashkitë e vogla. I tillë është edhe rasti i Roskovecit. Majlinda Bufi, kryetarja e kësaj bashkie i ka dhënë një tender prej rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH vetëm pak ditë më parë. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-89223-03-06-2021 dhe me objekt "Përmirësimi i furnizimit me ujë të Njësisë Administrative Strum" (Rikonstruksion i ujsjellësit të fshatit Suk1, Suk 2 Strum dhe Velmish2)”.
Ky tender ka patur një fond limit në vlerën 188,512,143 lekë të reja pa TVSH. Nëse hulumtojmë në dokumentacionin e këtij tenderi vihen re disa fakte të dyshimta. Fillimisht shikohet se kanë marrë pjesë vetëm katër kompani, nga të cilat tre prej tyre kanë ofruar vlera tepër të përafërta më njëra-tjetrën. Siç dihet, në praktikat ndërkombëtare të prokurimeve, një fakt i tillë cilësohet i dyshimtë pasi ka mundësi që fituesi të jetë i paracaktuar.
Nga ana tjetër shikohet se vlera fituese e kompanisë FUSHA është 184,989,894 lekë të reja pa TVSH ose rreth 2.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër është mjaft pranë më vlerën e fondit limit, ose sa 98.13% e saj. Pra praktikisht vihet re se vlera fituese është thuajse identike më fondin limit. Edhe ky është një fakt tepër i dyshimtë, që sinjalizon për fitues të paracaktuar. Gjithsesi, përtej dyshimeve, i fituari i vetëm vazhdon të jetë FUSHA i cili me këtë tender i ka rritur akoma më shumë miliona eurot e fituara.