JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Safet Gjici gostit me 3 miliardë Faik Currin, ndonëse ofroi më shumë nga të gjithë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21/04/2021 21:44

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vijojnë pa ndalim tenderat në shifra alarmante. Duket se burimet e shtetit qenkan të pafundme për të gjeneruar para. Duket disi paradoksale duke parë situatën aspak të favorshme ekonomikë të kohëve të fundit. E megjithatë lekët e shqiptarëve vërshojnë si lumë nëpër duart e kompanive private që fitojnë tendera të dyshimtë. Njëri prej atyre që ka kontribuar për të shpërndarë lekët e qytetarëve të tij në duart e kompanive private, është edhe Safet Gjici, kryetari aktual i Bashkisë Kukës.

Rezulton se kjo bashki ka hapur një tender me numër reference REF-86506-02-09-2021. Tenderi ka si objekt “Optimizimi i furnizimit me ujë të qytetit Kukës, Bashkia Kukës – Faza III”. Bëhet fjalë për një fond limit në vlerën 254,991,756 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 3 miliardë lekë të vjetra nëse llogarisim edhe TVSH. Duke hulumtuar në dokumentacionin e kësaj procedure prokurimi, vihen re disa fakte të dyshimta. Së pari shikohet se në tender kanë marrë pjesë vetëm tre firma, duke bërë që konkurrenca të jetë disi e kufizuar. Së dyti, për habi shikohet se njëra nga firmat në garë nuk ka ofruar fare asnjë ofertë ekonomike.

Natyrshëm ky është një fakt tepër i dyshimtë, pasi nuk ka asnjë logjikë që një firmë të marrë pjesë në një garë pa dhënë ofertën e saj. Duket se kjo ka ndodhur vetëm që numri i pjesëmarrësve të jetë më shumë se dy, pra kjo firmë ka marrë pjesë sa për numër. Së treti, vihet re se fituese është shpallur kompania e cila ka ofruar vlerën më të lartë. Kjo diferencë nuk është aspak e vogël, pasi bëhet fjalë për gati 100 milionë lekë të vjetra pa TVSH. Pra në rastin më të mirë, Bashkisë Kukës i është shkaktuar një dëm ekonomik prej të paktën 100 milionë lekë të vjetra. Së katërti, vlera fituese me vlerën e fondit limit janë tepër afër me njëra-tjetrën, përkatësisht vlera e ofruar nga fituesi është sa 99.9% e fondit limit.

Të katërta këto pika janë tepër të dyshimta dhe sugjerojnë se në rastin konkret kemi të bëjmë më një tender ku fituesi duket se ka qenë i paracaktuar. Por cili është fituesi? Bëhet fjalë për firmën CURRI në pronësi të biznesmenit Faik Curri. Ky i fundit dikur ishte njëri nga kritikët e mëdhenj të Ramës pasi ankohej se ishte përjashtuar pa të drejtë nga procedurat e prokurimeve publike. Mirëpo duket se kjo “përplasje” u zgjidh shpejt dhe tashmë CURRI rezulton të jetë njëri ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve publike, ku vetëm vitet e fundit rezulton të ketë marrë mbi 25 miliardë lekë nga institucionet shtetërore.