Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Angelo Massafra, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë, ku 34-vjeçari Rudolf Nikolli plagosi me mjet prerës 5 persona brenda ambienteve të xhamisë. Me anë të një mesazhi drejtuar Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Massafra shprehu solidaritetin dhe tronditjen e madhe për këtë ngjarje.
Mesazhi i plotë:
Shumë i Nderuar Zoti Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e “Dine Hoxhës” në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve. Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri. I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Zoti na bekoftë të gjithëve! Mons. Angelo Massafra o.f.m. Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.