JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Blendi Gonxhja harxhon 2 miliardë lekë në Korçë në tenderin e dyshimtë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 17/04/2021 21:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

U bë nja farë kohe që Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kishte rënë në qetësi përsa i përket tenderave në vlera të larta. Mirëpo duket se këto kohë tashmë kanë mbaruar dhe avazi i tenderave të majmë shikohet se ka filluar përsëri. Bëhet fjalë për një tender të dyshimtë të organizuar nga Blendi Gonxhja dhe institucioni që ai drejton. Në datë 17-02-2021 rezulton që DPSHTRR ka hapur një tender me numër reference REF-87227-02-16-2021.

Kjo procedurë prokurimi ka si objekt “Ndërtimi i Godinës Administrative për DRSHTRR Korçë” me fond limit prej 150,728,106 lekësh të reja pa TVSH. Ofertat për këtë tender janë pranuar deri më datë 29-03-2021 dhe në datë 07.04.21 është njoftuar klasifikimi. Ky tender paraqet dy pika në të cilat ngrihen dyshime se gara nuk ka qenë e rregullt. Së pari në të kanë marrë pjesë 4 firma. Njëra prej tyre, “ELDA-VL” rezulton se nuk ka ofruar asnjë vlerë. Pyetja që shtrohet është se përse një kompani duhet të marrë pjesë në një tender dhe më pas të ofrojë vlerën zero? Një përgjigje e mundshme do të ishte se ka marrë pjesë sa për numër në mënyrë që të rezultojë se në tender kanë marrë pjesë disa kompani.

Nga ana tjetër, 3 kompanitë e tjera kanë ofruar vlerë ekonomike, por këtu ka një tjetër “kleçkë”. Për habi të treja këto firma kanë ofruar thuajse vlera identike. Më konkretisht këto firma janë “HASTOÇI” me vlerë të ofruar 148.254.320 lekë të reja pa TVSH, “BAHAS” me vlerë të ofruar 149.284.863 lekë të reja pa TVSH dhe “FUSHA” me vlerë të ofruar 149.735.935 lekë të reja pa TVSH.

Si ka mundësi do të pyesni ju? Në literaturën ndërkombëtare të prokurimeve, një rast i tillë kur të gjithë konkurrentët ofrojnë vlera me diferenca fare të vogla nga njëri-tjetri, është tepër i dyshimtë. Kjo sepse dyshohet se fituesi i tenderit ka qenë i ditur paraprakisht. Në rastin konkret fituesi është shpallur firma “HASTOÇI” me vlerë të ofruar 148.254.320 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH). Së dyti shikohet se vlera fituese është shumë pranë vlerës së fondit limit, përkatësisht sa 98.35%. Edhe ky është një fakt që ngre dyshime të forta në lidhje me paracaktimin e fituesit të këtij tenderi.